"Kam probleme me zemrën", Erzen Breçani kërkon ndryshim mase! GJKKO cakton mjekët për të kryer ekspertizën mjekësore
Gjykata pranon kërkesën e avokatëve të Erzen Breçanit për të kryer ekspertizë mjekësore, pasi pretendojnë se ka probleme me zemrën dhe qëndrimi në qelinë e paraburgimit i rrezikon jetën. Seanca e radhës u shty për ditën e premte, ku do paraqiten dy mjekët që do kryejnë akt ekspertimin. Avokatët e Breçanit kërkojnë ndryshim të masës së sigurisë për shkak të gjendjes shëndetësore. Ndërkohë vete Breçani ndodhet i shtruar në spitalin e burgut. Në 20 nëntor Prokuroria e Posaçme lëshoi 11 urdhër-arreste. Nga këto 5 u arrestuan; Erzen Breçani ish kryepolic në Tiranë, Dedan Gjoni shefi i krimeve në Komisariatin numër 6, Bujar Ajezi, Besmir Murati të cilët u lanë në burg nga GJKKO. Po ashtu në Spanjë u arrestua Ismail Zeneli, për të cilin kanë nisur procedurat për ekstradim.
Ndërkohë detyrim paraqitje, u caktua për Jonida Babameto, oficere e Drejtorisë së Kufirit dhe Emigracionit. Në kërkim janë Ervin Mata, Artan Sulejmani, Albert Prenga, Bajram Grabova dhe Eralbi Breçani, të akuzuar për trafik droge nga Amerika Latine drejt Europës.
SPAK ka nisur hetimin pasuror për të gjithë anëtarët e grupit kriminal, përfshi dhe këngëtaren Elvana Gjata e cila përmendet në dosje për përdorimin e llogarisë së saj nga Ervin Mata me qëllim transferimin e shumave deri në 500 mijë euro.
Oficeri Dedan Gjoni akuzohet për sigurim kushtesh për vrasje, ndërsa Erzen Breçani për përkrahje të autorit të krimit dhe pastrim parash. Dedan Gjoni rezulton po ashtu se është i përfshirë një një tenative vrasje./Nga gazeta tema