Lidhje


Këshilli italian blen vilën e Musolinit: Rikthimi i saj në duart e publikut

Një këshill italian ka blerë një vilë të Benito Mussolinit ku ai kalone pushimet e tij verore. Këshilli theksoi se një nga arsyet ishte shmangia e rënien se pronës në duart e “nostalgjikëve fashistë”.

 

Daniela Angelini, kryebashkiake e krahut të majtë të Riccione-s, tha se blerja e Villa Mussolini përmes një ankandi ishte një akt dashurie dhe vizioni dhe se rikthimi i saj në duart e publikut ishte një fitore për të gjithë qytetin.

 

Këshilli i Ricciones i kishte shmangur konkurrencën nga një blerës privat i cili ishte ish-anëtar i Lëvizjes Sociale Italiane, partisë neofashiste të themeluar në vitin 1946 nga mbështetësit e mbetur të Musolinit.

 

Vila ka një histori të gjatë. E ndërtuar vetëm pak hapa larg detit në vitin 1893, ajo u ble nga gruaja e dytë e Musolinit, Rachele në vitin 1934. Diktatori fashist shpesh e përdorte vilën për punë qeveritare gjatë qëndrimeve të tij. Familja Musolini e zgjeroi pronën për të përfshirë një kat të tretë, 20 dhoma dhe një fushë tenisi.

 

Pas Luftës së Dytë Botërore dhe rënies së regjimit fashist në Itali, prona kaloi në pronësi publike. Gjatë bumit ekonomik të Ricciones në vitet 1950 dhe 1960, ajo u përdor për qëllime të ndryshme tregtare, duke përfshirë një klinikë veterinare për qen dhe një restorant. Një kryetar bashkie komunist i Ricciones u përpoq ta shembe me buldozer në fund të viteve 1970.

 

Vila u braktis për vite me radhë përpara se të blihej në fund të viteve 1990 nga banka e kursimeve Cassa di Risparmio e Riminit, e cila e restauroi dhe e hapi atë në vitin 2005 si një vend për ekspozita arti dhe ngjarje të tjera publike, përfshirë dasma civile.

 

Prania e vilës dhe lidhjet e saj me Musolinin e kanë përçarë prej kohësh Riccionen, me debatin që u rishfaq vitin e kaluar kur fondacioni Cassa di Risparmio vendosi ta nxirrte në ankand. Këshilltarët nga Vëllezërit e Italisë, partia e ekstremit të djathtë e kryeministrit Giorgia Meloni, argumentuan se kushdo që e bleu pronën nuk duhet ta ndryshojë emrin e saj nga Villa Musolini.

 

Angelini tha se emri do të ruhej, pavarësisht presionit nga disa prej aleatëve të saj për ta ndryshuar atë.

 

Ajo tha se historia duhej të kultivohej dhe jo të anulohej dhe se ndryshimi i emrit mund të kishte pasur efektin e rrezikshëm të shndërrimit të vilës në një vend për nostalgjikët fashistë.

XS
SM
MD
LG