Lidhje


Izraeli dhe Libani bien dakord për negociata të drejtpërdrejta pas takimit në Uashington

Izraeli dhe Libani kanë rënë dakord të nisin negociata të drejtpërdrejta pas takimit të zhvilluar në Uashington, sipas një njoftimi të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), me pjesëmarrjen edhe të përfaqësuesve amerikanë, raportoi BBC.

 

Zëvendëszëdhënësi i DASH, Tommy Pigott, e cilësoi takimin mes ambasadorëve të dy vendeve dhe Sekretarit amerikan të Shtetit Marco Rubio si “historik”, duke shtuar se SHBA shpreson që ky angazhim i ri të çojë drejt një marrëveshjeje afatgjatë paqeje të ndërmjetësuar nga Uashingtoni.

 

Sipas deklaratës, palët kanë rënë dakord të punojnë për reduktimin e ndikimit të Hezbollahut, të mbështetur nga Irani.

 

Qeveria libaneze synon të rikthejë monopolin e forcës brenda territorit të saj dhe të kufizojë ndikimin e Teheranit, ndërsa delegacioni libanez ka kërkuar gjithashtu një armëpushim dhe masa konkrete për lehtësimin e krizës humanitare në vend.

 

Nga ana tjetër, Izraeli është shprehur i gatshëm të bashkëpunojë për shpërbërjen e “të gjitha grupeve terroriste jo-shtetërore” dhe për arritjen e një paqeje të qëndrueshme, por pa dhënë angazhim të drejtpërdrejtë për ndalimin e sulmeve në territorin libanez.

 

Në deklaratë theksohet gjithashtu se Shtetet e Bashkuara mbështesin të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje ndaj sulmeve të vazhdueshme të Hezbollahut.

 

Ky zhvillim shënon bisedimet e para të drejtpërdrejta mes qeverive të Izraelit dhe Libanit që nga viti 1993.

XS
SM
MD
LG