Vështirësia për të gjetur punë, Xhemollari: Kurrikulat duhet t’i përgjigjen tregut vendas
Një ndër problematikat e arsimit të lartë shqiptar është përshtatja e kurrikulave me tregun e punës. E si pasojë, pas përfundimit të studimeve, të rinjtë e kanë të vështirë që ta gjejnë veten në pozicionet e punës që ofrohen ne treg. “Ne nuk kemi një prioritarizim të ekonomisë e për pasojë nuk kemi një përshtatje të kurrikulave. Nëse do ti referohemi të dhënave të diplomimit të studentëve në Shqipëri rreth 1/3 e tyre shkojnë për shkenca të shëndetit dhe mirëqenies. Kush na i rregullon ne 3 mijë infermierë dhe mami në vit që diplomohen ose mjekët. Në një mungesë të rregullimit të tregut vendas atëherë ajo që na përcakton rregullimin e tregut është agjenda e huaj që do të thotë mamitë shqiptare shkojnë dhe presin fëmijët gjerman” , u shpreh Rigels Xhemollari nga Qëndresa Qytetare.
Xhemollari është i mendimit që universitetet duhet ti përgjigjen tregut vendas në të kundërt studentët do të vijojnë të largohen për tu punësuar kryesisht ne vendet europiane. Në situatën aktuale ai gjykon se kurrikulat universitare i përshtaten më shumë pedagogëve duke dhënë lënë për të cilat tregu nuk ka më nevojë.
“Në universitetin politeknik të Tiranës studentët e informatikës marrin mësim në dërrasë të zezë, bëjnë provim në fletore. Pra një student informatike nuk mund të imagjinohet në asnjë vend të zhvilluar të botës që të marr mësim në dërrasën e zezë sepse duhet të ketë kompjuterin dhe të bëjë provim në fletore sepse duhet të ketë hapësirën e programimit të tij. Politikbërësit duhet ta orientojnë ekonominë shqiptare në mënyrë që universitetet publike ti përgjigjen asaj”, u shpreh Xhemollari.
Universitet shqiptare nuk arrijnë dot që të sigurojnë të dhëna se sa prej studentëve të tyre janë punësuar si në sektorin publik ashtu dhe në atë privat. Ndërkohë nevoja më e madhe për punësim sot është në sektorin e turizmit dhe teknologjisë./Nga topchannel
Top Channel