Biznesi i turizmit dhe avokatët shtrenjtojnë deri 20% tarifat
Në prag të çeljes zyrtare të sezonit turistik (11 Maj) vihet re rritja e çmimeve në baret, restorantet, hotelet dhe resortet përgjatë vijës bregdetare të Vlorës.Çmimet kanë pësuar rritje nga 15-20 për qind krahasuar me vitin e kaluar për të gjitha produktet. Operatorët turistikë e pranojnë rritjen, por argumentojnë se kjo është pasojë e shtimit të kostove për ta.Ervin Sota, kreu i shoqatës “Arta” dhe Elisa Bilali, menaxhere e një resorti rendisin faktorët që kanë ndikuar tek çmimet.
“Kemi rritje të taksave 30-40%, rritje të pagave të punonjësve, në total kostot e çdo biznesi janë rritur 40%. Kemi vendosur që një pjesë ta mbajmë vetë ne (bizneset) dhe rritja e çmimit të shkojë 15-20% për klientët. Është dhe implementimi i impianteve të përpunimit të ujërave të zeza, prandaj të gjitha këto komponentë sjellin edhe një rritje të çmimeve. Gjithë taksiratet janë lëshuar në çdo biznes”, thotë për Report Tv, Ervin Sota, biznesmen
“Kursi i euros, rritja e çmimeve bazë dhe rritja e kërkesës ka sjellë dhe një rritje të çmimeve. Për sezonin e ulët dhoma në resort është 80 euro/ nata, kurse për sezonin e lartë (qershor, korrik, gusht) nga 250 euro -500 euro për suitë”, shprehet Elisa Bilali, menaxhere.
Krahas debateve për moszbatim korrekt të ligjit për tatimin mbi të ardhurat, disa biznese të profesioneve të lira kanë nisur aplikimin e tarifave të shtrenjtuara për shërbimet e ofruara.
Avokatët paralajmëruan më herët se përfshirja e tyre në taksimin progresiv, do të t’i godasë për së dyti herë, pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve të hartës së re gjyqësore për rishpërndarjen e gjykatave, çka do të reflektohej në shtrenjtimin e tarifave.
Avokati Përparim Caca pohoi për Monitor se për shkak të tatimit të lartë, tarifat e përfaqësimi në gjyq nga avokatët janë rritur mesatarisht 15 deri 20%.
“Konkretisht nëse më parë tarifa për çështje përfaqësimi në gjyqet civile nga 45,000 lekë që kushtonin tashmë janë bërë 60,000 mijë lekë (rritja 33%)”, thotë ai./Nga reporttv dhe Lapsi