Lirohen të arrestuarit në veri të Kosovës që u kapën duke ngjitur pamflete për teroristët e Banjskës
Tuesday, 09 July 2024 16:03
Janë liruar pesë personat e mitur që ishin arrestuar nga policia nën dyshimin se vendosën pamfleta në veri me fotografinë e njërit nga terroristët e vrarë në Banjskë, raporton Sinjali.
Ata dyshohet se kanë kryer veprën penale “Nxitje të urrejtjes”.
Pas intervistimit, ata janë liruar në procedurë të rregullt.
Kjo u konfirmua nga zëvendësdrejtori për rajonin e veriut, Veton Elshani.
“Mbrëmë rreth orës 01.00 në mëngjes, një person është has duke ngjit disa pamflete që pas verifikimit ka sjell deri tek inicimi i rastit nxitje e urrejtjes. Ky person me urdhër të Prokurorit është ndaluar dhe deri tani janë identifiku edhe katër persona të tjerë. Që të katër personat e tjerë janë intervistuar dhe tek shumica nga ta janë gjetë prova materiale që e mbështesin vepren nxitje e urrejtjes”, tha Elashni.
“Pas intervistimit edhe të personit të fundit që të gjithë janë liruar në procedurë të rregullt duke përfshirë edhe personin e parë i cili ishte ndaluar sot në orët e hershme të mëngjesit. Të gjithë personat e identifikuar apo të intervistuar (duke përfshirë edhe të ndaluarin) janë të mitur”, theksoi Elshani./Gazeta Sinjali