Vrasja e policit në Serbi, MPJ-ja u kërkon mërgimtarëve të kenë kujdes ose të shmangin kalimin nëpër shtetin fqinj
Thursday, 18 July 2024 13:30
Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës është deklaruar lidhur me rastin e raportuar për vrasjen e një polici serb dhe plagosjen e një tjetri në Loznicë të Serbisë.
Përmes një njoftimi në Facebook, MPJ apelon te mërgimtarët që të shmangin lëvizjen përmes territorit serb, raporton Klankosova. “Të dashur qytetarë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës përmes Zyrës Ndërlidhëse në Beograd po ndjek nga afër zhvillimet në lidhje me pretendimet e Ministrit të Brendshëm të Serbisë, Ivica Daçiq për një incident në magjistralen afër Loznicës në Serbi, ku pretendon që ka mbetur i vrarë një polic serb dhe i përfshirë në këtë rast sipas tij është një shtetas i Republikës së Kosovës.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës do të mbajë të informuar opinionin publik për këtë rast dhe apelon te mërgimtarët dhe qytetarët e Kosovës që të rrisin kujdesin gjatë kalimit nëpër Serbi dhe sipas vlerësimit të situatës të shmangin lëvizjen përmes territorit serb”, thotë MPJ në postim.
Lidhur me rastin, Klan Kosova mëson se në veturë bashkë me Artan Hajrizin, ka qenë edhe i arratisuri i para pak ditëve më parë nga burgu i Smrekonicës, Faton Hajrizi. /Klankosova.