Evropa nën valët ekstreme të të nxehtit me temperatura që kalojnë 40 gradë Celsius
Evropa aktualisht po përballet me një valë ekstreme të të nxehtit, me temperaturat në shumë vende që shkojnë mbi 40 gradë Celsius, raporton Anadolu.Sot në Itali, Ministria e Shëndetësisë e vendit ka lëshuar një alarm të kuq të ‘kategorisë 3’ në 13 qytete të mëdha, përfshirë Romën, Bolonjën, Firencen, Palermon dhe Triesten.Si rezultat, autoritetet provinciale në shumë rajone kanë zbatuar masa urgjente, si ndalimi i punës në natyrë nga ora 12:30 deri në orën 16:00 për punëtorët e bujqësisë dhe ndërtimit. Gjithashtu qytetarët këshillohen të shmangin ekspozimin direkt në diell, si dhe të rrisin përdorimin e lëngjeve.
Në Greqi, Shërbimi Meteorologjik Kombëtar (EMY) ka raportuar se masat ekstreme të ajrit të nxehtë që mbulojnë pjesën më të madhe të Evropës Lindore dhe Ballkanit do të vazhdojnë të ndikojnë në të gjithë vendin, me temperatura që pritet të arrijnë kulmin sot dhe nesër.
Temperaturat parashikohen të arrijnë deri në 34 gradë Celsius në pjesët veriore të Greqisë dhe ndërmjet 41-42 gradë Celsius në Greqinë qendrore dhe perëndimore.
Në kuadër të masave kundër temperaturave ekstreme, vendi i njohur antik i Akropolit të Greqisë do të mbyllet nga mesdita deri në orët e vona të pasdites për të mbrojtur punëtorët dhe turistët.
Në Bullgari, Instituti Kombëtar i Meteorologjisë dhe Hidrologjisë (NIMH) parashikon temperatura midis 38 dhe 43 gradë Celsius në pjesën më të madhe të vendit, duke përjashtuar provincat e Detit të Zi.
Në mënyrë të ngjashme, Administrata Kombëtare e Motit e Rumanisë ka lëshuar një alarm të kuq për nxehtësinë ekstreme që ka prekur pjesën më të madhe të vendit, me temperatura që variojnë nga 37 deri në 42 gradë Celsius.
Anticikloni afrikan që po intensifikohet mbi gjerësinë gjeografike të Mesdheut po ndikon edhe në Shqipëri, ku në zonat më të ulëta temperaturat pritet të arrijnë kulmin në 43 gradë Celsius. Ndërkohë, në Maqedoninë e Veriut temperaturat parashikohen të arrijnë deri në 42 gradë Celsius.
Po ashtu edhe Instituti Kombëtar Meteorologjik Spanjoll (AEMET) ka paralajmëruar për një valë të të nxehtit, duke theksuar se “ditët më të pafavorshme do të jenë të enjten dhe të premten, përveç në bregdetin e Mesdheut, ku kushtet do të arrijnë kulmin të shtunën”.
“Temperaturat mund të kalojnë në nivel lokal prej 44 gradë Celsius. Netët do të jenë jashtëzakonisht të ngrohta. Kushtet e turbullta e shoqërojnë vapën”, tha AEMET./AA