Lidhje


Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë:Letër e hapur drejtuar kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit Bajram Begaj

Tiranë, 25 korrik 2025

Letër e hapur drejtuar:

 Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama

Presidentit të Republikës së Shqipërisë, z. Bajram Begaj

 

Të nderuar z. Kryeministër dhe z. President,

 

Në emër të Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë, po ju drejtohemi në një nga momentet më të errëta të ndërgjegjes njerëzore dhe të rendit ndërkombëtar dekadat e fundit. Gaza po shkatërrohet. Fëmijët po vdesin të uritur. Spitalet janë kthyer në varreza heshtjeje. Gazetarët, të vetmit zë i mbetur i së vërtetës, po vriten.

 

Ju shkruajmë për të kërkuar jo vetëm një qëndrim politik, por një reagim njerëzor. Ky nuk është një apel diplomatik; është një thirrje nga ndërgjegjja jonë si gazetarë, si qytetarë, si njerëz.

 

Ajo që po ndodh në Gaza nuk është një luftë. Është një gjenocid. Një popull i tërë po dëbohet, shfaroset, zhduket, ndërsa qeveria e Izraelit përdor urinë si armë, bllokon ndihmat humanitare, ndalon ujin, barnat, karburantin dhe i ndalon gazetarët ndërkombëtarë të hyjnë për të dëshmuar. Është një akt i strukturuar i shfarosjes së një popullsie civile.

 

Fëmijët po vdesin në krahët e prindërve të tyre. Bebeve në inkubatorë po u shuhet jeta nga mungesa e oksigjenit. Njerëzit po vdesin nga uria në heshtje, ndërkohë Shqipëria  nuk guxon të shqiptojë fjalën që duhet: GJENOCID.

 

Sipas Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve (IFJ), që nga fillimi i luftës janë vrarë të paktën 187 gazetarë dhe punonjës të medias. Të vetmit zëra që guxojnë të dëshmojnë krimet po heshten me qëllim. Heshtja e tyre është e planifikuar ose përmes vrasjes direkte, ose përmes urisë, ose përmes izolimit.

 

Të gjithë gazetarët ndërkombëtarë janë ndaluar të hyjnë në Gaza. Gazetarët lokalë po mbajnë gjallë fijen e vetme të informacionit dhe të së vërtetës që ende mund të shpërndahet në botë. Edhe kjo fije po këputet.

 

Shqipëria nuk është vend i madh, por ka një zë që mund të dëgjohet kur guxon të flasë. Ka një histori të dhimbshme që i njeh krimet e heshtura. Ka një shoqëri që e njeh vuajtjen dhe pasojat e persekutimit.

 

Ne kërkojmë nga ju Zoti.Kryeministër dhe Zoti.President, që me përgjegjësi dhe ndershmëri të mbani një qëndrim publik dhe të qartë për këtë tragjedi:

 

  • Të dënoni publikisht gjenocidin që po ndodh në Gaza.
  • Të bëjnë thirrje për ndalimin e vrasjeve të civilëve dhe mbrojtjen e gazetarëve.
  • Të kërkojnë lejimin e hyrjes së ndihmave humanitare dhe aksesin e gazetarëve ndërkombëtarë në Gaza.
  • Të mbështesin një hetim ndërkombëtar për përdorimin e urisë si armë lufte dhe për shkeljet sistematike të së drejtës ndërkombëtare.
  • Të mos fshihen pas deklaratave të kujdesshme diplomatike, por të shprehen me guxim moral dhe politik.

Të qëndrosh neutral përballë gjenocidit nuk është diplomaci. Është bashkëfajësi. Është nënshtrim para krimit. Dhe është turp që historia nuk e fal.

 

Nëse nuk e dënojmë sot këtë krim, nesër nuk do të kemi më të drejtë të flasim për padrejtësi.

 

Me respekt dhe me përgjegjësi profesionale,

 

Isa Myzyraj
Kryetar
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë

 

 

XS
SM
MD
LG