Lidhje


Neonazisti i njohur në Gjermani shpallet trans, kërkon të futet te burgu i grave

Në Gjermani ka shpërthyer një debat i zjarrtë pas vendimit të Marla-Svenja Liebich, një prej figurave më të njohura të skenës neonaziste, i cili në verën e vitit 2024 deklaroi ndërrimin e gjinisë nga mashkull në femër, vetëm pak muaj përpara se të hynte në burg.

 

Të premten, 29 gusht, 54-vjeçari do të shkojë në qelinë e burgut të Halle, por dilema e madhe është: në sektorin e grave apo atë të burrave? Liebich ka ndërtuar një karrierë 30-vjeçare në ekstremizmin e djathtë, si ish-lider i grupit Blood & Honor, shiste kaseta me muzikë neonaziste dhe bluza me slogane raciste, ishte aktivist kundër emigrantëve si dhe gjatë pandemisë, u bë figurë e njohur e lëvizjes antivaksinë.

 

Ironia është se vetëm tre vite më parë, Liebich e quante komunitetin trans “parazit i shoqërisë”. Sot, i vetëshpallur grua, ai ka kërkuar të vuajë dënimin në krahun e femrave, duke përmbysur krejtësisht imazhin e tij publik.

 

Aktivistë trans e kanë përshëndetur këtë lëvizje, duke e cilësuar një fitore të të drejtave njerëzore. Ndërkohë, një pjesë e neonazistëve të dikurshëm e kanë shfrytëzuar si provokim ndaj sistemit.

 

Në rrjetet sociale, figurat e djathta kanë nisur një “luftë kulturore”, duke e konsideruar këtë rast si shembull të “absurdeve ligjore” të qeverisë gjermane. Julian Reichelt, ish-drejtues i Bild, ka deklaruar se:

 

“Liebich nuk është grua, qeveria ka detyruar mediat të thonë të kundërtën”. Ai madje fitoi një proces gjyqësor kundër Liebich mbi këtë çështje.

 

Ligji gjerman për ndryshimin e gjinisë ka hyrë tashmë në qendër të polemikave. U mendua si një akt për të zgjeruar të drejtat e pakicave, por kritikët e quajnë të paqartë dhe abuziv.

 

Ky rast është kthyer në një luftë kulturore ku ekstremistët e djathtë dhe aktivistët më radikalë trans përplasen mes tyre. Dhe fituesi i përkohshëm duket të jetë pikërisht Liebich, i cili ka arritur kulmin e famës duke provokuar gjithë Gjermaninë./tvklan.al

 

 

XS
SM
MD
LG