Ish bashkeshorti kanadez e vret ish gruan shqiptare se kishte harruar çantën e pelenave të bebit.
Të tjera detaje tronditëse janë zbardhur nga krimi i ndodhur në Brampton të Kanadasë, ku shqiptarja 29-vjeçare Savannah Kulla u ekzekutua me armë zjarri në një parking. Sipas mediave vendase, ngjarja ndodhi të martën rreth orës 14:00, në parkingun e një qendre tregtare në zonën e Airport Road dhe Queen Street East. Policia Rajonale e Peel tha se viktima u shpall e vdekur në vendngjarje.
Nëna e saj, Karen Kulla, ka dhënë një dëshmi rrëqethëse për momentet e fundit të vajzës. Ajo tregoi se Savannah kishte shkuar të takonte ish-partnerin e saj, Anthony Deschepper, 38 vjeç, pasi ai kishte kërkuar të kalonte disa orë me vajzën e tyre 17-muajshe.
“Thjesht nuk mund ta besoj që ajo ka ikur. Ishte kaq e bukur, shumë e bukur. E zgjuar, e ndjeshme, dhe ne e donim shumë”, – tha nëna e viktimës mes lotësh.
Karen tregon se e bija ishte nënë e katër fëmijëve dhe kishte ndarë marrëdhënien me Deschepper disa muaj më parë.
“Ajo më tha, rreth një muaj më parë: ‘Nëse qëndroj me të, ai do të më vrasë’”, – rrëfeu nëna e Savannah-s.
Sipas dëshmisë së saj, gjithçka nisi pas një mosmarrëveshjeje për një çantë pelenash.
“Nga ajo që kam dëgjuar, ai i tha: ‘më duhet çanta e pelenave’. Ajo i përgjigj: ‘do ta marr unë’. Ai tha: ‘E harrove çantën e mallkuar të pelenave’ – dhe më pas dëgjova që pati tre të shtëna”, – shtoi Karen.
Pas ngjarjes, autori u qëllua për vdekje nga policia gjatë një përpjekjeje për arrestim. Sipas Global News, Deschepper ishte një person me precedentë penalë. Në vitin 2023, ai ishte shpallur në kërkim për vepra që lidhen me armë zjarri, pasi ishte akuzuar për të shtëna në një rezidencë në Brampton. Ai ishte arrestuar disa javë më vonë nga policia rajonale e Waterloo-s dhe ishte liruar me kusht, në pritje të gjyqit të planifikuar për vitin 2026.
Nëna e viktimës tregon se vajza e saj kishte frikë, por besonte se Deschepper nuk mbante më armë.
“I thashë: ‘më premto që nuk ka armë’. Ajo më tha: ‘Jo mami, të betohem se nuk mban armë’. E di, kjo ishte budallallëk”, – u shpreh ajo.
Karen tha se ish-partneri e kishte shqetësuar vazhdimisht në telefon, aq sa Savannah kishte ndërruar numrin disa herë.
“Ai e çmendi në telefon. Ajo e ndryshoi numrin, por ai e gjente përsëri dhe e merrte ndoshta 50, 60, 70 herë në ditë. Ndonjëherë i përgjigjej, vetëm për t’i thënë ‘më lër rehat’”, – përfundoi nëna e tronditur.
Policia kanadeze vijon hetimet për ngjarjen tragjike, ndërsa komuniteti shqiptar në Kanada ka shprehur ngushëllimet për humbjen e 29-vjeçares Savannah Kulla./joq