KE-ja propozon heqjen e roaming-ut për vendet e Ballkanit Perëndimor, përfiton edhe Shqipëria!
Komisioni Evropian (KE) ka propozuar nisjen e negociatave me gjashtë vendet e Ballkani Perëndimor, për t’i përfshirë ato në regjimin e Bashkimi Evropian “Roam Like at Home” (Pa tarifa shtesë).
Programi i Komisionit Evropian “Roam Like at Home” është një rregullore e BE-së që u mundëson përdoruesve të telefonisë mobile të përdorin telefonat e tyre në shtetet e tjera anëtare me të njëjtat çmime si në vendin e tyre.
Kjo do të thotë se gjatë përdorimit të telefonit mobil në zonën e Bashkimi Evropian nuk ka kosto shtesë roaming-u për thirrjet, mesazhet SMS dhe përdorimin e internetit.
Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, vlerësoi se kostot e roaming-ut paraqesin problem për qytetarët në shtetet e Ballkanit Perëndimor.
“Tarifat e roaming-ut janë problem në gjithë Ballkanin Perëndimor. Për punëtorët që punojnë jashtë vendit dhe familjet që telefonojnë më të dashurit e tyre jashtë vendit. Faturat e papritura kur udhëtoni janë diçka që ne më nuk e pranojmë në BE. Sot propozojmë nisjen e bisedimeve për ta përfshirë në këtë edhe Ballkanin Perëndimor”, shkroi Kos në X.
Me propozimin për nisjen e bisedimeve, Komisioni Evropian kërkon miratimin e Këshilli i BE-së për hapjen e negociatave me partnerët nga Ballkani Perëndimor. Pasi Këshilli ta miratojë këtë kërkesë, Komisioni Evropian do të negociojë marrëveshje dypalëshe me secilin shtet të rajonit, informon REL.
Pasi marrëveshjet për këtë çështje të përmbyllen me sukses, ato do të hapin rrugën që Ballkani Perëndimor të bëhet pjesë e zonës “Roam Like at Home” në BE.