Fllade Ramazani për Palestinën / (Tubim paqësor për Gazan e pushtuar)
Disa adhurime e fitojnë thellësinë e tyre pikërisht nga vet kauza e tyre. Kështu janë edhe adhurimet e kryera gjatë muajit të Ramazanit.Sot vëllezërit tanë në Gaza, po privohen nga çdo e drejtë thelbësore. Për këtë, nevoja e njërit prej tyre është shumë më prioritare sesa nevojat e të gjithë neve marrë së bashku.
Feja na mëson ti meshirojmë te varfërit/të vuajturit, të jetojme me hallet e tyre, ti duam ata ti perkrahim e ti ndihmojmë sepse zëri i tyre është i dobët mezi degjohet, hapat e tyre janë të shkurtra nuk shtrihen gjatë , atyre u mbyllen dyert në fytyrë sepse janë të varfër. Ëndrrat e dëshirat e tyre nuk plotësohen , sepse janë të pafuqishëm.
Prandaj muslimani obligohet që të ndërmjetësojë për ta e të kontribuojë për zgjidhjen e problemeve të tyre, në çfarëdo lloj forme ka mundësi.
Këto ditë Ramazani karakterizohen nga begati të mëdha, të cilat vetëm Zoti ua di peshën dhe madhësinë e shpërblimit. Për çdo vepër (të mirë) që bën biri i Ademit, shpërblimi për të i shumëfishohet nga 10 deri në 700 herë, përveç agjërimit, atë e shpërblen vet Zoti i shpërblimit në mënyrën më madhështore të mundshme.
I Dërguari i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, thotë:” Punoni punë të mira gjatë gjithë kohës, ashtu që tu përfshinë flladet e mëshirës së Allahut, sepse Allahu ka disa fllade të mëshirës me të cilat ekspozon kë të dojë nga robërit e Tij”.(Albani hadithin e ka cilësuar si të mirë)
Kohët në të cilat po jetojmë janë të mbushura me fllade të tilla, edhe pse po ashtu me sprova, por njeriu i ekspozohet flladeve të mëshirës për ti ikur stuhive që prodhojnë sprovat. Ndaj besimtari i zgjuar e ekspozon veten ndaj këtyre flladeve të mëshirës hyjnore.
Prej flladeve më të mira të mëshirës është edhe qëndrimi afër problemeve të të vuajturve dhe të shtypurve kudo të jenë, sot janë vëllezërit tanë të Gazës që kanë nevojë për ne. Për mbështetjen tonë me dua, por mbi të gjitha me vepër konkrete, e tubimet e tilla janë shenja më konkrete se ne nuk na dhimbset vetëm vetja jonë duke iu kthyer rutinës por na dhimbset mbi të gjitha atdheu ynë, por atdheu më i rëndësishëm i fesë tonë është humanizmi dhe ndjeshmëria karshi vuajtjeve të të tjerëve. Kjo vepër në Ramazan është më e vlefshme se shumëçka. Për këtë thotë pejgamberi a. s " Dikush që bën roje një ditë me qëllimin e mbrojtjes së atdheut, fiton shpërblime sikur të ketë kryer adhurime për ditë dhe muaj me radhë" .
Vëllezër ne vet kemi më shumë nevojë për tubime të tilla sesa vëllezërit tanë në Palestinë, kjo pasi i Derguari dhe i dashuri juaj, i zgjedhuri i Allahut ka thënë: “ I dua të dobëtit prej jush. Dëshiroj ti kem pranë . Se me të vërtetë ju furnizoheni dhe ndihmoheni për shkak të të dobtëve prej jush. (Ebu Daud, Nesaiu, Tirmidhi)
Vëllezër le të bëhemi palë me të vërtetën kudo qoftë dhe të armiqësojmë pabesinë, vrasjen, zullumin kudo qoftë, kjo e bën zemrën të drithërohet për të pastrën dhe ndryshimin, për të vërtetën dhe gjithçka e përfaqëson me të drejtë atë. Vetëm kjo do të na afrojë në këtë muaj më afër Zotit të Ramazanit dhe gjithçkaje tjetër. Në një hadith kudsi Allahu thotë : “ Unë jam me ata, zemrat e të cilëve drithrohen për Mua”. Ai, zemra e të cilit drithërohet për Allahun, është adhurues i denjë i Tij, nuk është rob i epshit të tij, as i pozitës, pasurisë apo interesave të tij, qofshin ato personale apo të ndonjë grupi të caktuar.
Ndaj mos të bëhemi robër të ndonjë konflikti dialektik apo interesi të pakuptueshëm, por të dalim në mbështetje të kauzës tonë, të kauzës së tërë njerëzimit, të ekspozohemi ndaj këtyre flladeve të mirësisë në mënyrë që me të vërtetë të quhemi ndihmëtarë, të quhemi fitimtarë në këtë muaj apo pas tij.