MISTERI/ Nga e-Albania te centrali bërthamor: Ermal Beqiraj në mision të fshehtë për shërbimet izraelite?
Arrestimi në Francë i biznesmenit shqiptar të teknologjisë Ermal Beqiraj nuk është vetëm historia e një personi të kërkuar nga SPAK, i cili u kap rastësisht jashtë Shqipërisë. Rrethanat në të cilat ai u ndalua ngrenë pyetje shumë më të rënda: përse një njeri i lidhur prej vitesh me sistemet digjitale të shtetit shqiptar po fluturonte në lartësi të ndaluar mbi një central bërthamor francez?
A ishte kalimi mbi centralin e Penly-t një gabim i zakonshëm pilotimi, apo bëhej fjalë për një itinerar të menduar më parë?
Sipas raportimeve franceze, avioni i pilotuar nga Beqiraj uli lartësinë gjatë kalimit mbi zonën e kufizuar të centralit bërthamor, duke shkaktuar reagimin e aviacionit ushtarak francez. Avioni u shoqërua drejt aeroportit, ndërsa Beqiraj u ndalua dhe më pas u identifikua si person i kërkuar ndërkombëtarisht nga drejtësia shqiptare.
Por përse një pilot me eksperiencë do të hynte pikërisht mbi një nga objektet më të ndjeshme të infrastrukturës energjetike franceze? Ishte shpërqendrim, neglizhencë apo diçka që autoritetet franceze ende nuk e kanë bërë publike?
Beqiraj u ka thënë hetuesve se kishte gabuar lartësinë ndërsa fliste në telefon. Por a është bindës ky shpjegim, kur bëhet fjalë për një zonë ajrore të kufizuar dhe për një central bërthamor me rëndësi strategjike?
Dyshimet shtohen nga raportimi se në veshjet e tij u gjetën tre pajisje Apple AirTag. Këto nuk janë pajisje përgjimi dhe nuk mund të fotografojnë apo të regjistrojnë të dhëna nga centrali. Megjithatë, ato shërbejnë për gjurmimin e vendndodhjes.
Kujt u përkisnin AirTag-ët? A ishin vendosur nga vetë Beqiraj? A e dinte ai se i mbante me vete? Apo dikush tjetër po ndiqte në kohë reale lëvizjet e tij, itinerarin e avionit dhe momentin e kalimit mbi Penly?
Nëse pajisjet nuk ishin të regjistruara në llogarinë e tij, kush e merrte informacionin e vendndodhjes? A ishte Beqiraj personi që kryente një detyrë, apo vetë objekt i monitorimit nga një porositës i tretë?
Media franceze ka raportuar se hetuesit nuk përjashtuan mundësinë që ai të kishte vepruar nën presionin ose drejtimin e dikujt tjetër. Por kush mund të kishte interes për një fluturim mbi një central bërthamor francez?
Pikëpyetjet bëhen edhe më të forta për shkak të profilit profesional të Beqirajt. Ai nuk ishte një turist që kishte marrë me qira një avion. Beqiraj ishte një biznesmen teknologjie i lidhur me kontrata të mëdha publike, me AKSHI-n dhe me projekte që përfshinin integrimin e shërbimeve shtetërore në portalin e-Albania.
Çfarë njohurish teknologjike zotëronte ai? Në çfarë sistemesh shtetërore kishte punuar? Çfarë kontaktesh kishte krijuar gjatë viteve të bashkëpunimit me institucucionet dhe kompanitë që operonin në infrastrukturën digjitale shqiptare?
Dhe, mbi të gjitha, a kishte udhëtimi i tij në Francë ndonjë lidhje me profilin e tij profesional, apo këto janë dy histori tërësisht të shkëputura?
Në dosjen shqiptare të AKSHI-t është raportuar edhe një takim ku, në praninë e Beqirajt, ishte diskutuar një partneritet i mundshëm me një kompani izraelite. Deri tani nuk është bërë publik emri i kompanisë, natyra e projektit dhe nëse bashkëpunimi u realizua.
A ishte Beqiraj pjesë e këtij projekti, apo ndodhej rastësisht në takim, siç është pretenduar? A lidhej kompania me sistemet e e-Albania-s? Çfarë teknologjie kërkonte të sillte në Shqipëri? Dhe përse identiteti i saj nuk është bërë publik?
Nuk ka asnjë provë publike që kjo kompani të ketë pasur lidhje me inteligjencën izraelite. Nuk ka gjithashtu asnjë provë se ajo kishte interes për centralin e Penly-t apo se Beqiraj vepronte për Izraelin.
Por a mjafton mungesa e provave publike për të mbyllur çdo pikëpyetje, kur bëhet fjalë për një person të lidhur me sisteme të ndjeshme shtetërore, i cili përfundon mbi një central bërthamor francez me pajisje gjurmimi në rrobat e tij?
A ishte fluturimi një mision për të vëzhguar objektin? A kishte Beqiraj pajisje të tjera në avion? A janë kontrolluar telefoni, kompjuterët, kamerat dhe komunikimet e tij? A janë gjetur fotografi, koordinata ose të dhëna për centralin?
Nëse nuk është gjetur asgjë e tillë, përse policia franceze e ka konsideruar profilin e tij shqetësues? Nëse është gjetur material me interes, përse publiku nuk është informuar ende?
Një tjetër pyetje është nëse Beqiraj ishte i lirë në veprimet e tij. A mund të jetë detyruar të kryejë fluturimin? A mund të jetë shantazhuar për shkak të problemeve të tij me drejtësinë shqiptare? A mund të ketë pranuar një detyrë në këmbim të mbrojtjes, parave ose ndihmës për t’iu shmangur ekstradimit?
Apo e gjithë ngjarja është vërtet një kombinim i pazakontë rastësish: një biznesmen i teknologjisë, i kërkuar nga SPAK, që gabon lartësinë pikërisht mbi një central bërthamor dhe që mban në rroba tre pajisje gjurmimi?
Deri tani, autoritetet franceze nuk kanë ngritur publikisht akuzë për spiunazh. Nuk është identifikuar asnjë porositës, kompani, shtet apo shërbim inteligjence. Nuk ka prova publike që e lidhin Beqirajn me një operacion të huaj ose me Izraelin.
Por mungesa e një akuze publike nuk i jep ende përgjigje pyetjes kryesore: çfarë po bënte realisht Ermal Beqiraj mbi centralin bërthamor të Penly-t?
Ishte një gabim i rrezikshëm, një fluturim i porositur apo pjesë e një operacioni që autoritetet franceze po përpiqen ende ta zbërthejnë?
Dhe pyetja më e rëndë mbetet: kush e dinte paraprakisht itinerarin e tij dhe kush po e ndiqte përmes AirTag-ëve?