Lidhje


‘Mjekët pa Kufij’ bëjnë thirrje për presion ndaj Izraelit për të ndaluar sulmet në Gaza

Organizata humanitare ‘Mjekët pa Kufij’ (MSF) ka bërë thirrje për presion ndaj Izraelit për të ndaluar sulmet ndaj popullit të Gazës.

 

“Duhet të ndalet tani. Ne po kërkojmë nga qeveritë në mbarë botën që të bëjnë presion ndaj Izraelit që të ndalojë sulmet ndaj popullit të Gazës dhe t’i japë fund rrethimi”, shkroi në platformën sociale X organizata humanitare me bazë në Francë.

 

MSF-ja ndau gjithashtu një “letër të hapur” në një format video, duke treguar pasojat e sulmeve izraelite në Gaza.

 

“Ne jemi dëshmitarë se parimi themelor i njerëzimit po turpërohet hapur”, tha MSF-ja, duke shtuar se “sulmi i gjithanshëm” i Izraelit nuk po bëhet vetëm ndaj Hamasit.

 

Më tej, theksohet se “sulmi i gjithanshëm” po bëhet “me çdo kusht” në të gjithë Gazën dhe popullin e saj.

 

“Edhe luftërat kanë rregulla. Por Izraeli qartë po i shkëmben ato për doktrinën e vet ushtarake bazuar në disproporcionalitet. Gaza veriore po fshihet nga harta. Deri më tani, liderët botëror ose kanë qenë bashkëpunëtorë duke financuar ose siguruar Izraelin me armë ose nuk kanë bërë përpjekje të tjera përveç fjalëve boshe”, tha organizata dhe bëri thirrje për ndalimin e “sulmeve të pamëshirshme, zhvendosjeve të dhunshme dhe sulmeve ndaj spitaleve dhe personelit mjekësor”.

 

Të premten, ushtria izraelite rifilloi bombardimet në Rripin e Gazës pasi deklaroi fundin e një pauze humanitare 1-javore.

 

Izraeli nisi sulme të pamëshirshme ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës pas një sulmi ndërkufitar nga Hamasi më 7 tetor.

 

Numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet izraelite në Rripin e Gazës që nga fillimi i konfliktit më 7 tetor është pothuajse 15.900.

 

Numri i të plagosurve gjatë të njëjtës periudhë është rritur në të paktën 42 mijë.

 

Ndërkohë, numri zyrtar i vdekjeve izraelite është 1.200.

XS
SM
MD
LG