Emiri i Katarit: Rripi i Gazës nuk është çështje e sigurisë izraelite
Emiri i Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al-Thani, tdeklaroi sot se Rripi i Gazës nuk është çështje e sigurisë izraelite.
Ai u adresua në hapjen e samitit të 44-të të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC), i cili po mbahet në kryeqytetin e Katarit, Doha.
“Sfida nuk qëndron në zgjidhjen e çështjes së Gazës sikur ajo të jetë çështje sigurie e veçantë apo izraelite që kërkon aranzhim sigurie që ia nënshtrojnë Rripin kërkesave të saj”, tha emiri.
“Zgjidhja më tepër qëndron në përfundimin e okupimit (izraelit) dhe zgjidhjen e çështjes së popullit palestinez”, shtoi ai.
Samiti i GCC-së mbahet mes sulmeve të pamëshirshme ajrore dhe tokësore izraelite në Rripin e Gazës pas sulmit ndërkufitar nga Hamasi më 7 tetor. Të paktën 15.899 palestinezë janë vrarë dhe më shumë se 42.000 të tjerë janë plagosur, sipas autoriteteve shëndetësore në Rripin e Gazës.
Sipas shifrave zyrtare, numri i të vdekurve izraelitë është 1.200.
Që nga themelimi i bllokut në vitin 1981 e deri më tani janë mbajtur 44 Samite të GCC-së.
Blloku i Gjirit përbëhet nga Katari, Bahreini, Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), Arabia Saudite, Omani dhe Kuvajti.
Burimi: AA