Izraeli përgjigjet ndaj Iranit, godet një bazë ushtarake në Isfahan! SHBA: Na njoftuan, por s'e miratuam sulmin! Teherani: Vendet bërthamore të sigurta
Izraeli nisi një sulm ndaj Iranit në shenjë hakmarrjeje orët e para të mëngjesit të 19 prillit, një veprim që kërcënon të përshkallëzojë më tej konfliktin rajonin e Lindjes së Mesme. Izraeli kishte paralajmëruar se do t’i kundërpërgjigjet Iranit, pas sulmit me mbi 300 dronë e raketa.
Mediat raportojnë se ka pasur shpërthime në Isfahan, pranë një baze ushtarake. 3 shpërthime janë dëgjuar, ndërsa autoritetet iraniane thonë se kanë rrëzuar të tre dronët e nisur nga Izraeli, duke hedhur poshtë raportimet për sulm raketor.
Menjëherë pas sulmit, Teherani aktivizoi sistemin e mbrojtjes ajrore, ndërsa tha se centralet bërthamore janë të sigurta. Deri më tani nuk raportohet për viktima apo dëme, citojnë mediat shtetërore iraniane një gjeneral ushtrie.
Për shkak të sulmit u pezulluan fluturimet në disa aeroporte, ndërsa tashmë gjendja është kthyer në normalitet. Fluturimet kanë nisur edhe në aeroportin kryesor të Teheranit, Imam Khomeini. Ushtria izraelite nuk ka komentuar për sulmin.
Ndërkohë, Izraeli i kishte thënë SHBA-së të enjten se do të hakmerrej kundër Iranit në ditët në vijim, tha një zyrtar i lartë amerikan për CNN. Zyrtari thekson se SHBA nuk e kishte miratuar kundërsulmin dhe se nuk është përfshirë në operacion.
"Ne nuk e miratuam përgjigjen," tha zyrtari për CNN.
Irani ka qenë në gatishmëri të lartë pasi Izraeli tha se do t'i përgjigjej. Teherani lëshoi më shumë se 300 raketa e dronë në Izrael mesnatën mes 13 dhe 14 prillit, si hakmarrje ndaj sulmit në konsullatën e tij në Damask të Siri, më 1 prill.
Aleatët perëndimorë të Izraelit gjatë gjithë javës, veçanërisht SHBA-ja dhe Britania, i kanë kërkuar qeverisë izraelite që të mos kryejë një përgjigje të rëndë ndaj sulmit raketor iranian.
Tv shtetëror iranian: Sulmi u pilotua nga të infiltruar brenda vendit
Analistët e televizionit shtetëror Iranian shprehen se sulmi izraelit ndaj me dronë ndaj Iranit u pilotua nga të infiltruar brenda vendit.
Izraeli goditi mëngjesin e sotëm rreth orës 04:30 me orën iraniane, në shenjë hakmarrjeje për atë çka ndodhi fundjavën e shkuar.
Sulmi ndodhi në afërsi të Isfahanit, ndërsa nuk bëhet fjalë për viktim
Sulmi izraelit, Irani: Fluturimet kanë rifilluar në të gjithë aeroportet
Irani kishte pezulluar fluturimet në disa aeroporte pas sulmit izraelit. Sapo lajmet u bënë publike, fluturimet filluan të devijoheshin. Flydubai u tha gjithashtu disa mediave se do të anulonte të gjitha fluturimet për në Iran të premten dhe se një fluturim nga Dubai në Teheran ishte kthyer.
Irani njofton se ndërprerja ka mbaruar dhe se fluturimet i janë kthyer normalitetit. Agjencia shtetërore e lajmeve IRNA raportoi se fluturimet kanë rifilluar në aeroportin ndërkombëtar Imam Khomeini të Teheranit.
Ndërkohë, organizata e aviacionit civil të Iranit tha se kufizimet e vendosura më parë në disa aeroporte të tjera janë hequr. Më herët, televizioni shtetëror Mehr tha se aeroportet në Teheran, Isfahan, Shiraz dhe në të gjithë vendet perëndimore, veriperëndimore dhe jugperëndimore të vendit ishin prekur të gjithë./Nga reporttv