Turqia do të përfshihet në rastin e gjenocidit që Afrika e Jugut ka iniciuar kundër Izraelit në GJND
Ministri i Jashtëm i Türkiyes, Hakan Fidan, tha se vendi i tij do të kërkojë të jetë pjesë e lëndës së Afrikës së Jugut në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) që akuzon Izraelin për kryerjen e gjenocidit në Rripin e Gazës, raporton Anadolu.
"Türkiye ka vendosur të kërkojë të bashkëngjitet në lëndën e gjenocidit të Afrikës së Jugut kundër Izraelit në GJND", tha Fidan në një konferencë të përbashkët për media me homologen e tij indoneziane, Retno Marsudi.
"Me këtë hap, ne shpresojmë që procesi përpara GJND-së të përparojë në drejtimin e duhur", shtoi Fidan.
Duke deklaruar se përpjekjet e Türkiyes për aplikim në këtë lëndë kanë vazhduar për "një kohë shumë të gjatë", Fidan tha se Ankaraja së shpejti do të përfundojë punën e saj ligjore për këtë çështje.
"Ndërkohë, ne do të vazhdojmë të punojmë me të gjitha vendet mike dhe aleate se çfarë mund të bëhet më shumë për këtë çështje dhe cilat vende mund të aplikojnë më tej", shtoi ai.
Fidan tha se Ankaraja zyrtare do të vazhdojë të qëndrojë pranë popullit palestinez "në të gjitha rrethanat".
Në fund të vitit të kaluar, Afrika e Jugut ngriti një lëndë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë duke akuzuar Izraelin për kryerjen e gjenocidit në Rripin e Gazës.
Një vendim i përkohshëm në janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.
Izraeli ka kryer një ofensivë brutale në enklavën palestinezë që nga sulmi ndërkufitar i Hamasit më 7 tetor të vitit të kaluar, për të cilin Tel Avivi thotë se u vranë afër 1.200 njerëz.
Që atëherë, të paktën 34.500 palestinezë janë vrarë në Rripin e Gazës, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe mbi 77.600 të tjerë janë plagosur në mes të shkatërrimit në masë dhe mungesës së madhe të nevojave.
Më shumë se gjashtë muaj pas luftës izraelite, zona të gjera të Gazës janë kthyer në gërmadha, sipas OKB-së, duke çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së enklavës mes një bllokade të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve./Nga AA