Presidenti turk Erdoğan vlerëson qëndrimin e Brazilit në lidhje me Gazën
Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, zhvilloi bisedë telefonike me homologun e tij brazilian Luiz Inacio Lula da Silva dhe vlerësoi qëndrimin e Brazilit në lidhje me zhvillimet në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.
“Presidenti Erdoğan deklaroi se qëndrimi i Brazilit përballë brutalitetit të Izraelit në territoret palestineze është i lavdërueshëm dhe se duhet të shtohen përpjekjet për vendosjen e një armëpushimi të përhershëm dhe dërgimin e ndihmave humanitare në rajon”, tha Drejtoria e Komunikimeve e Presidencës turke në X.
Të dy presidentët diskutuan gjithashtu marrëdhëniet dypalëshe midis vendeve të tyre, si dhe çështjet rajonale dhe globale.
“Presidenti Erdoğan, i cili vuri në dukje se Izraeli vazhdon të përshkallëzojë sulmet dhe masakrat e tij pavarësisht se Hamasi pranoi armëpushimin, shprehu rëndësinë e mbështetjes së iniciativave për njohjen e Shtetit Palestinez në këtë moment”, njoftohet më tej.
Duke folur për luftën Rusi-Ukrainë, Erdoğan ka thënë se Ankaraja po monitoron nga afër luftën, duke shtuar se ai ka propozuar që të dyja palët të kthehen në negociata dhe të punojnë drejt vendosjes së një paqeje të drejtë mbi bazën e të drejtave dhe ligjit.
Erdoğan gjithashtu i ka përcjellë ngushëllimet e tij presidentit brazilian për viktimat nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut në Brazil, duke shprehur se Türkiye qëndron në krah të popullit të Brazilit./Nga AA