Sharra një zinxhir "pisllëku" që fillon me vjedhje dhe mbaron nëpër shtëpitë tona/Sharra në emergjencë, landfilli i tejmbushur me plehra
Inceneratori që nuk u ndërtua kurrë po shkakton krizë mjedisore në zonën Sharrës në Tiranë. Landfilli është mbushur me plehra tej kapacitetit të lejuar. Krahas ndotjes nga plehrat, banorët e zonës po vuajnë edhe mungesën e ujit. Ekspertët e mjedisit e cilësojnë situatën emergjente. Mëngjesin e 7 majit Xhuli Lamuça po kulloste lopët në lëndinën me bar fare pranë landfillit të Tiranës, në fshatin Sharrë.
Për të hyrë në tokën që dikur ishte e tyre, Xhuli dhe banorët e tjerë të fshatit duhet të kalojnë përmes të çarës që i kanë hapur gardhit me rrjeta metalike të koncensionarit.
Prej më shumë se një muaji, bashkëjetesës së vështirë të banorëve të Sharrës me erërat e pakëndshme dhe ndotjen i është shtuar edhe mungesa e ujit.
“Nga ndërtimi i inceneratorit u mbyllën burimet e ujit por na u premtua se do të na sillnin ujë çdo ditë me bote”, kujton Xhuli duke treguar se prej më shumë se një muaji ujin duhet ta blejnë vetë.”
“15 mijë lekë të vjetra paguaj çdo ditë për ujin që ble, më duhet sepse kam lopë dhe bulmeti do pastërti. Shes qumështin që të ble ujin”, shprehet e shqetësuar Xhuli.
Pasi humbën tokat nga shpronësimet për ndërtimin e projektit të trajtimit të mbetjeve të Tiranës, një pjesë e banorëve janë punësuar nga koncesionari.
“Nuk ankohen të gjithë, sepse disa punojnë tek plehrat dhe kanë hall se humbasin vendin e punës. Po dhe ne që ankohemi, nuk marrim zgjidhje…”, pohon me trishtim Xhuli.
Landfilli tej kapaciteteve
Landfilli i Tiranës ka një kapacitet total prej 420 mijë metër kub mbetjesh. Në kontratë ishte parashikuar që landfilli të përballonte kërkesën deri në ndërtimin e inceneratorit, që më pas do të bëntë djegien e plehrave për të prodhuar energji elektrike. Por inceneratori nuk u ndërtua asnjëherë. Për këtë arsye, fundvitin e kaluar zona e trajtimit të mbetjeve ndodhej në limitet e kapacitetit për menaxhimin e mbetjeve.
Në këto kushte, shoqëria Integrated Energy (që administrohet nga Agjencia e pasurive të sekuestruara) i kërkoi me urgjencë autoriteteve përgjegjëse leje për ndërtimin e një qelize shtesë për depozitimin e mbetjeve të ngurta urbane.
Mirëpo qeliza e re ende nuk ka marrë dritën jeshile nga autoritetet përgjegjëse. Kjo nënkupton se aktualisht Sharra është tej kapaciteteve të menaxhimit të mbetjeve. Administratori i caktuar nga shteti për drejtimin e kompanisë të trajtimit të mbetjeve në Tiranë, Arjan Baçi thotë se janë ende në pritje të zbardhjes së lejes së kërkuar.
“Jemi duke e menaxhuar situatën.”, u përgjigj shkurt Baçi, pa dhënë detaje. Sipas tij për më shumë informacione, duhej një kërkesë zyrtare, por prej muajit mars, përpjekjet për të marrë informacione përmes koordinatorit për të drejtën e informimit kanë dështuar.
Kapica me plehra në Sharrë
Pamjet nga Sharra vërtetojnë emergjencën. Plehrat e bashkive të qarkut të Tiranës po bëhen kapicë në landfill. Ndotja është larg shtëpive të pushtetarëvë që premtonin zhdukjen e plehrave, por vijon të jetë e njëjtë për banorët e fshatit.
“Jemi mes dy maleve me plehra, si mos ta kemi problem?!Në verë dhe kur bie shi plehrat kundërmojnë gjithë Sharrën …”, ankohet Xhuli Lamuça, banore e Sharrës.
Ndonësë në ndryshim nga Elbasani, në landfillin e Tiranës një pjesë e mirë e mbetjeve mbulohen me dhe, sipas ekspertëve problematika mbetet e njëjtë. Për këtë arsye ata paralajmërojnë se jemi në emergjencë mjedisore.
“Janë vendgrumbullime as në kushtet e landfillit, sepse thjesht janë mbledhur aty për tu djegur. Por nuk digjen dhe ato krijojnë një bombë ekologjike që rri pret aty. Do bëhën male të tëra me mbetje.”, thotë Olsi Nika nga ECO Albania.
Pavarësisht kësaj situate, inceneratori që duhet të digjte plehrat, prej vitesh po “djeg” vetëm paratë publike.
Vetëm gjatë këtij viti, inceneratori inekzistent i Tiranës (për të cilin vijojnë hetimet nga SPAK) do të marrë nga buxheti i shtetit 12 milionë euro. Po ashtu, mbështetja buxhetore do të vijojë e shtrirë në vite.
“Lekët merren sikur inceneratori të punonte intensivisht. Pra taksapaguesit veç ndotjes mjedisore, ndikohen edhe nga grabitja po aq e madhe sa ndotja.”, thotë eksperti për çështjet e mjedisit, Ahmet Mehmeti.
Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, prej shtatë vitesh, për të treja kontratat buxheti i shtetit ka dhënë rreth 122 milionë euro. Miliona të tjera pritet të jepen ndër vite.
Në vend të inceneratorit…
Në këto kushte, Olsi Nika thotë se qeveria do të jetë e detyruar të pranojë dështimin me inceneratorët duke ofruar zgjidhje të re.
“Do të buxhetojnë sërish për asgjesimin e tyre. Sepse zinxhiri i menaxhimit të mbetjeve fillon tek shtepia jote dhe e imja, dhe ky zinxhir nuk është marrë kurrë seriozisht në Shqipëri. Janë bërë programe pilot, show, strategjira dhe nuk ka vullnet sepse mbetjet janë para.”, argumenton ai.
Ndërsa Mihallaq Qirjo, profesor pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, sheh si zgjidhje riciklimin.
“Ne ende shohim zgjidhjen tek landfillet dhe inceneratorët, ndërkohë që duhet parë tek rifutja në përdorim e materialeve të cilët kanë dalë nga një cikël përdorimi. Pra këtu unë gjykoj se kemi ende hapësira për të parë zhvillimin e vendit në një rrugë më të gjelbërt.”– Mihallaq Qirjo, profesor në Fakultetin e Shkencave.
Edhe Komisioni Evropian, në raportin e fundit për Shqipërinë, adresonte nevojën e promovimit të ekonomisë qarkulluese, duke incentivuar parandalimin, reduktimin e gjenerimit të mbetjeve si dhe reduktimin e groposjes në landfille.
Mirëpo, i vetmi hap konkret drejt ekonomisë qarkulluese në Shqipëri ndodhi këtë vit- pa i dhënë zgjidhje inceneratorëve. Në mars, qeveria krijoi Agjencinë Kombëtare për Mbetjet, një strukturë në varësi të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit.
“AKEM do të mbështesë teknikisht politikat e ministrisë përgjegjëse për mjedisin në fushën e menaxhimit të integruar të mbetjeve, me qëllim kalimin drejt ekonomisë qarkulluese (koncepti kryesor i të cilës është minimizimi i mbetjeve përmes reduktimit, ripërdorimit, riciklimit)”, tha në një përgjjigje me shkrim Ministria e Mjedisit.
Agjencia do të ketë në strukturë 26 punonjës, por miratimi i saj është ende në proces. Gjithsesi, eksperët e mjedisit, nuk e shohin zgjidhjen e menaxhimit të mbetjeve përmes një Agjencie.
Prapavijë
Koncesioni për trajtimin e mbetjeve në Tiranë u firmos më 31 gusht 2017 nga Ministria e Mjedisit dhe kompania e regjistruar në Holandë – “Integrated Energy” B.V. Kontrata koncensionare parashikonte rehabilitimin e venddepozitimit të mbetjeve në Sharrë, si dhe ndërtimin e një landfilli dhe inceneratori që do të prodhonte energji elektrike.
“Shikojeni se si po fitohet beteja për Shqiperinë e pastër Europiane, mu në zemrën e vendit tonë, përmes një modeli të ri standardesh të Bashkimit Europian mbledhjeje, përpunimi e prodhimi energjie nga mbetjet me zero impakt negativ për ajrin e shëndetin.”, mburrej kryeministri Edi Rama kur prezantonte videon 3D të projektit të Sharrës, thuajse një vit pas nënshkrimit të kontratës.
Sipas kryeministrit, përmes këtij modeli, qeveria do të zhbënte mallkimin e plehrave në të gjithë vendin- jo vetëm në Tiranë, Elbasan dhe Fier.
“Mos dëgjoni zhurmën e kënetave politike e mediatike ku gëlojnë njëmijë e një të zezat kundër këtyre projekteve kaq të dobishme për mjedisin e shëndetin…”, këmbëngulte Rama në maj të 2018.
Por koha vërtetoi të kundërtën. Inceneratori i Elbasanit nuk punon, ai i Fierit nuk arriti të përfundonte, ndërkohë që në Tiranë inceneratori nuk ekziston. Aktualisht inceneratorët janë nën sekuestro nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Kjo pasi hetimet e SPAK kanë dalë në përfundimin se kontratat janë afera korruptive me dhjetra të arrestuar, përfshi këtu edhe zyrtarë të lartë publik./ Esmeralda Topi / Faktoje