Lidhje


Ambasadori palestinez në Britani: Gjithçka filloi jo në tetor, por 106 vjet më parë

Shefi i Misionit të Palestinës në Mbretërinë e Bashkuar, ambasadori Husam Zomlot, i cili ka spikatur së fundmi me deklaratat e tij në televizionet perëndimore pas sulmeve të Izraelit në Gaza, tha se shtypja në vendin e tij nuk ka filluar më 7 tetor, por 106 vjet më parë.

 

Ambasadori Zomlot bëri vlerësime  në lidhje me zhvillimet në Palestinë në TRT World Forum 2023 të mbajtur në Istanbul.

 

Duke reaguar ndaj mënyrës se si sulmet e Izraelit ndaj Gazës dhe vuajtjet në Palestinë përshkruhen sikur kanë nisur dje, Zomlot tha: “Gjithçka filloi kur Britania ua premtoi tokat tona të tjerëve pa u konsultuar me ne dhe na ktheu ne, kombin palestinez, në pakica johebreje”.

 

Zomlot theksoi se populli palestinez është populli vendas dhe qytetërimi bazë i rajonit.

 

Ai tha se Deklarata e Balfourit solli me vete probleme të mëdha, duke shtuar se të drejtat e popullit palestinez filluan të shpërfilleshin me këtë deklaratë.

 

“Populli palestinez ka luftuar gjatë gjithë këtyre viteve për të çliruar tokën tonë, për t’u kthyer në pronat, shtëpitë dhe fermat tona, për të fituar barazi dhe trajtim të barabartë dhe për të siguruar zbatimin e vendimeve ndërkombëtare”, tha Zomlot.

 

“Gjithçka filloi jo në tetor, por 106 vjet më parë. Kërkimi i popullit palestinez për liri dhe drejtësi tani më duhet parë. Duhet të shohim çështjen e të drejtave të njeriut, të drejtave kombëtare dhe konsensusit dhe ligjit ndërkombëtar”, tha ambasadori Zomlot, duke theksuar se Izraeli vazhdimisht ka përdorur rrugën e dhunës.

 

“Ajo që Izraeli e kupton është zgjidhja ushtarake dhe dhuna. Frikësimi i civilëve dhe presioni mbi komunitetet civile”, shtoi ai.

 

“Sipas mendjes së tyre, viktimat janë ata”

 

Duke theksuar se Izraeli vazhdimisht përpiqet ta portretizojë veten si viktimë, Zomlot tha: “Ata duan që palestinezët të dënohen pasi po i detyrojnë t’i vrasin. E shihni mentalitetin? ‘Izraelitët pa zgjidhje tjetër’ janë të detyruar të na vrasin, të vjedhin tokat tona, të shkatërrojnë shtëpitë tona, bombardojnë çdo gjallesë në Gaza. Në mendjet e tyre, viktimat janë ata”.

 

Ai deklaroi se ka njerëz në mesin e udhëheqësve izraelitë që besojnë se emra si Itamar Ben-Gvir dhe Benjamin Netanyahu mund të bëjnë çfarë të duan dhe se ata janë të veçantë dhe superiorë.

 

“Nëse duan, ata mund të vrasin mijëra fëmijë, të bombardojnë spitalet, shkatërrojnë shkollat, madje mund të shkatërrojnë gjithë infrastrukturën e një qyteti si Gaza”, tha Zomlot.

 

Duke vënë në dukje se administrata izraelite është në gjendje t’i kryejë të gjitha këto mizori vetëm duke i trajtuar palestinezët sikur të mos jenë njerëz, ambasadori tha: “Siç e keni dëgjuar, ministrat izraelitë na quajtën ‘kafshë humanoide’. Meqenëse nuk mund të vrisni njerëz të zakonshëm në këtë mënyrë, ju duhet t’i çhumanizoni ata”.

 

Zomlot, i cili ka spikatur me paraqitjet dhe deklaratat e tij në shumë kanale televizive perëndimore si CNN dhe BBC, ka kritikuar ashpër përpjekjet e Izraelit për ta portretizuar veten si viktimë.

 

Zomlot gjithashtu i ka bërë thirrje Kryeprokurorit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale, Karim Khan, që të përmbushë detyrën e tij menjëherë dhe me përgjegjësi.

 

Burimi: AA

XS
SM
MD
LG