Lidhje


A po shkojnë marrëdhëniet Iran-Arabi Saudite drejt një krize të re?

Kur Arabia Saudite javën e kaluar arrestoi dhe më pas deportoi gjashtë reporterë nga Emisioni televiziv i Republikës Islamike të Iranit (IRIB), praktikisht e shtoi dozën e tensioneve në një rajon të mbushur me grindje.

 

Në një raport, IRIB tha se ky grup producentë dokumentaresh u arrestua teksa po regjistronte një recitim të Kuranit në xhaminë e Profetit. Ata thuhet se janë marrë në pyetje për disa orë përpara se të transferoheshin në Stacionin Qendror të Policisë në Medine, pa u bërë të ditur asnjë arsye.

 

Për më tepër, u raportua se dy ditë më vonë, policia saudite arrestoi dy gazetarë të tjerë, duke përfshirë një reporter nga kanali al-Alam dhe një reporter nga gjysmë-zyrtarja IRNA, të dyja media iraniane.

 

Këta gazetarë u arrestuan teksa zbrisnin nga automjeti i tyre për të marrë pjesë në ceremoninë e Namazit Kumeyl në hotelin ku po qëndronin pelegrinët iranianë. Në të njëjtën ditë, një reporter radioje thuhet gjithashtu se u thirr dhe u ndalua në hotelin e tij në Medine.

 

Peyman Jebelli, kreu i IRIB i cili i priti në aeroport këta gazetarë pasi u deportuan nga Arabia Saudite pa kryer ritet e tyre të haxhit, ai tha: “Ky incident ishte befasues edhe për ne, sepse nuk kishim hasur në një situatë të tillë në vitet e kaluara. Ende nuk kemi informacion për arsyet e këtij incidenti dhe do të kryejmë hetimet e nevojshme, në dashtë Zoti.

 

Mungesa e ndonjë shpjegimi nga qeveria saudite në lidhje me dëbimin e këtyre gazetarëve i ka bërë gjërat edhe më misterioze.

 

Megjithatë, shkaku më i mundshëm i këtij incidenti është thirrja e fundit e liderit suprem iranian Ali Khamenei në lidhje me ceremoninë e haxhit të këtij viti.

 

Më 6 maj, Khamenei, në një takim me udhëheqësit dhe zyrtarët e delegacioneve iraniane të Haxhit, deklaroi: "Që nga revolucioni, abdikimi (bara'at) ka qenë një nga themelet e Haxhit. Megjithatë, këtë vit, me madhështinë dhe ngjarjet r çuditshme në Gaza, të cilat kanë zbuluar natyrën gjakatare të strukturave të rrënjosura në qytetërimin perëndimor më shumë se kurrë më parë, Haxhi i këtij viti është veçanërisht Haxhi i abdikimit”.

 

Duke marrë parasysh strukturën e shtetit iranian dhe pozicionin e Ali Khameneit brenda tij, kjo thirrje mund të shihet si një urdhër për iranianët. Me fjalë të tjera, zyrtarët iranianë do të bëjnë përpjekje të mëdha për të zbatuar urdhrin e Khameneit.

 

Nga ana tjetër, Arabia Saudite ka qëndruar e ashpër ndaj  veprimit të abdikimit duke shkaktuar tensione mes Iranit dhe Arabisë Saudite disa herë në të kaluarën.

 

Me shumë mundësi, ndalimi dhe dëbimi i gazetarëve iranianë në Arabinë Saudite lidhej me përgatitjet e tyre për aksionin e abdikimit. 

 

Në kontekstin e diskursit revolucionar të Iranit, çështja e abdikimit (bara'at), e cila është një çështje juridike në shiizëm, nuk kufizohet në çështje individuale ose doktrinore, por përfshin gjithashtu dimensione politike dhe sociale.

 

Në këndvështrimin politik të Iranit ndaj Islamit, koncepti i abdikimit shkon përtej të qenit një çështje e zemrës dhe emocioneve, duke u shtrirë në distancimin, izolimin dhe refuzimin aktiv të politeistëve dhe atyre që vazhdimisht komplotojnë kundër muslimanëve dhe madje edhe njerëzimit në tërësi.

 

Ky refuzim aktiv manifestohet gjatë ceremonisë së Haxhit përmes thirrjeve të sloganeve si "Vdekje Amerikës" dhe "Vdekje Izraelit", kur pelegrinët iranianë shprehin zemërimin e tyre ndaj Perëndimit.

 

Propaganda e abdikimit shiit u iniciua nga Khomeini pas Revolucionit të vitit 1979. E kryer për herë të parë në vitin 1980, kjo propagandë arriti një fazë të re në vitin 1987 me thirrjen e Khomeinit për një "kthim në Haxhin Abrahamik".

 

Gjatë demonstratës së 31 korrikut 1987, pelegrinët iranianë protestuan kundër armiqve të Iranit duke brohoritur "Vdekje Amerikës" dhe "Vdekje Izraelit" në rrugët e Mekës.

 

Megjithatë, përgjigja e policisë së Arabisë Saudite ishte jashtëzakonisht e ashpër dhe në përleshjet që pasuan mes policisë saudite dhe demonstruesve iranianë humbën jetën 402 persona. Sipas deklaratës zyrtare nga Arabia Saudite, 275 nga të vdekurit ishin shtetas iranianë.

 

Pas këtij incidenti, marrëdhëniet midis Iranit dhe Arabisë Saudite u shembën dhe lidhjet normale nuk mund të vendoseshin për sa kohë që Khomeini ishte gjallë.

 

Në të vërtetë, në një nga fjalimet e tij, Khomeini tha: "Nëse heqim dorë nga çështja e Jeruzalemit, nëse heqim dorë nga Sadami, nëse heqim dorë nga të gjithë ata që na kanë bërë padrejtësi, ne nuk mund të heqim dorë nga çështja e Hixhazit. Çështja e Hexhazit është e ndarë nga çështjet e tjera, është një çështje krejtësisht tjetër”, duke pohuar kështu se Irani nuk do ta falte kurrë Arabinë Saudite.

 

Shpërthimi i shpatës së Khomeinit tregoi se, në perceptimin e sundimtarëve iranianë, Arabia Saudite – e quajtur Hijaz në persisht – mban një imazh më negativ se ish-sundimtari despotik i Irakut Saddam Hussein, i cili zhvilloi një luftë tetë-vjeçare me Iranin, duke rezultuar në mijëra viktima. 

 

Prandaj, thirrja e fundit e Ali Khameneit për "zhveshjen e Perëndimit" gjatë ceremonisë së haxhit të këtij viti solli menjëherë në mendje ngjarjet e 31 korrikut 1987.

 

Ish-ministri i Jashtëm iranian Manouchehr Mottaki u shfaq në televizionin shtetëror iranian në të njëjtën ditë për të komentuar deklaratën e Khameneit dhe për të theksuar tensionet midis Iranit dhe Arabisë Saudite.

 

Në program, Mottaki deklaroi, "Haxhi i këtij viti është i ndryshëm nga të gjitha ceremonitë e haxhit të dyzet viteve të fundit... Këtë vit, ne do të jemi dëshmitarë të një ndryshimi të thellë në Mekë... Ajo që Arabia Saudite duhet të bëjë këtë vit është të mos pengonjë zemërimin e muslimanëve gjatë ditëve të abdikimit sido që të jenë rrethanat.."

 

Megjithatë, qëndrimi i Arabisë Saudite ndaj propagandës së abdikimit të Iranit nuk është aspak pozitiv, duke e akuzuar Teheranin se po përpiqet të politizojë dhe instrumentalizojë ceremoninë e Haxhit./trtworld

XS
SM
MD
LG