Forcat izraelite arrestojnë 51 palestinezë në Bregun Perëndimor
Forcat izraelite arrestuan 51 palestinezë në bastisjet e tyre të kryera në zona të ndryshme të Bregun Perëndimor nën pushtim.
Në një deklaratë me shkrim nga Shoqata e të Burgosurve Palestinezë thuhet se forcat izraelite që nga mbrëmë e deri më sot kanë zhvilluar bastisje në shtëpitë e palestinezëve në shumë zona të Bregut Perëndimor, kryesisht në Jenin.
Gjatë bastisjeve të përqendruara në qytetin Jenin, u arrestuan 51 palestinezë përfshirë ish të burgosur palestinezë që kanë qëndruar në burgjet izraelite.
Thuhet se gjatë bastisjeve në qytezën Silwad në Ramallah, shumë palestinezë përfshirë gra u ndaluan për një kohë. Palestinezët në fjalë u liruan pas një hetimi të kryer rreth tyre.
Ka arritur në 3.810 numri i palestinezëve që forcat izraelite kanë arrestuar që nga 7 tetori e deri më tani në Bregun Perëndimor.
Në orët e mëngjesit ushtria izraelite bastisi qytetin Jenin nga drejtime të ndryshme dhe vrau 4 palestinezë në sulmin që kreu me mjetin ajror pa pilot (dron) në lagjen Sibah të rajonit të Qytetit të Vjetër.
Po përjetohet rritje në arrestimet dhe bastisjet e forcave izraelite ndaj palestinezëve në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor nën pushtim, që nga 7 tetori kur forcat izraelite filluan sulmet e tyre në Gaza.
Që nga 7 tetori deri më tani, 279 palestinezë kanë humbur jetën në sulmet e forcave izraelite dhe kolonëve hebrenj në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor nën pushtim.
Burimi; AA