Lidhje


Australia, Kanadaja dhe Zelanda e Re bëjnë thirrje për armëpushim "urgjent" në Gaza

Australia, Kanadaja dhe Zelanda e Re kanë bërë thirrje për armëpushim "urgjent" në Rripin e Gazës, derisa lufta izraelite në enklavën e rrethuar bregdetare palestineze vazhdon në muajin e dhjetë, transmeton Anadolu.Në një deklaratë të përbashkët, të tre vendet thanë se situata në Gaza është "katastrofike", duke theksuar se "Vuajtja njerëzore është e papranueshme. Ajo nuk mund të vazhdojë".Duke kritikuar grupin palestinez të rezistencës Hamas për sulmin e 7 tetorit, deklarata tha se Izraeli "duhet të dëgjojë shqetësimet e komunitetit ndërkombëtar".

 

"Një armëpushim i menjëhershëm nevojitet dëshpërimisht. Civilët duhet të mbrohen dhe nevojitet rritje e qëndrueshme e fluksit të ndihmës në të gjithë Gazën për të adresuar situatën humanitare. Mbrojtja e civilëve është parësore dhe një kërkesë sipas ligjit ndërkombëtar humanitar", theksoi deklarata, duke shtuar se Hamasi "duhet të heq armët dhe të lirojë të gjitha pengjet".

 

Megjithatë, të tre vendet pretenduan: "Ne nuk shohim asnjë rol për Hamasin në qeverisjen e ardhshme të Gazës".

 

Deklarata vjen pasi 14 grupe palestineze, përfshirë rivalët Hamas dhe Fatah, të martën nënshkruan Deklaratën e Pekinit, ku ranë dakord të formojnë një qeveri të përkohshme kombëtare për të administruar Gazën e pasluftës.

 

Në lidhje me përshkallëzimin në kufirin me Libanin, deklarata tha se "armiqësi të mëtejshme vënë në rrezik dhjetëra mijëra civilë në Liban dhe Izrael".

 

Duke shkelur rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon armëpushim të menjëhershëm, Izraeli është përballur me reagimin ndërkombëtar në mes të ofensivës brutale të vazhdueshme në Gaza që nga sulmi i 7 tetorit nga grupi palestinez Hamas.

 

Afër 39.200 palestinezë janë vrarë, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe mbi 90.400 janë plagosur, sipas autoriteteve lokale shëndetësore. Mbi nëntë muaj pas sulmit izraelit, pjesë të mëdha të Gazës qëndrojnë në gërmadha mes një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

 

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), e cila e urdhëroi atë të ndalojë menjëherë operacionin e tij ushtarak në qytetin jugor të Rafahut, ku më shumë se 1 milion palestinezë kishin kërkuar strehim nga lufta përpara se të pushtohej më 6 maj./AA

XS
SM
MD
LG