Lidhje


Presidentja Osmani: Ura e Ibrit duhet të hapet në koordinim me aleatët

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thekuar se për hapjen e urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë, duhet të ketë koordinim me aleatët, në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), për të bërë një plan të zbatimit të përbashkët, transmeton Anadolu.Gjatë vizitës së saj në Komunën e Vitisë, Osmani tha se SHBA-ja ka kërkuar që bashkërisht të ulen dhe të krijojnë një plan të zbatimit për hapjen e urës e cila ndanë Mitrovicën në pjesën jugore me shqiptarë dhe atë veriore me shumicë të popullsisë serbe.

 

“SHBA-ja asnjëherë, në takimet që kemi pasur, nuk i kanë shprehur presidentes qëndrim kundër hapjes së urës, por thjesht kanë kërkuar bashkëpunim në përcaktimin e momentit më të përshtatshëm nga aspekti i sigurisë dhe ndërtim të një plani të përbashkët për zbatimin e hapjes së urës, që është në interes të të gjithë qytetarëve tanë”, ka theksuar Osmani.

 

Ajo tha se Kosova duhet të sigurohet që ura në veri të hapet në atë mënyrë që nuk nxit konflikt me aleatët e vendit e as prani të shtuar të misionit të NATO-s në Kosovë - KFOR.

 

“Ura duhet të hapet patjetër, por ne duhet të sigurohemi që kur të hapet të jetë e hapur përherë, e jo që kur të hapet të nxitë një prezencë shumë më të madhe të NATO-s në të. Ne nuk kemi arsye të jemi në konflikt me aleatët tanë”, ka deklaruar Osmani.

 

Presidentja Osmani deklaroi tutje se për hapjen e urës së Ibrit nuk pyetet Serbia.

 

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi gjatë ditës së djeshme se do t’i vazhdojnë konsultimet dhe koordinimin me partnerët ndërkombëtarë rreth çështjes së hapjes së urës mbi Lumin Ibër në Mitrovicë.

 

Lidhur me këtë çështje Kurti ka diskutuar edhe me komandantin e KFOR-it, Özkan Ulutaş./AA

XS
SM
MD
LG