Lidhje


Thatësira rrit faturën e importit të energjisë, vetëm për gushtin u blenë 177 mijë megavat me vlerë 22.7 mln euro! Gati prodhimi nga TEC-et lundruese mbaron testimi

Mungesa e reshjeve të shiut ka ulur prodhimin e energjisë, duke bërë që KESH të shtojë sasinë e energjisë së blerë. Vetëm për muajin gusht u importuan mbi 177 mijë megavat energji me vlerë 22.7 milionë €. Ndërkohë Report TV mëson se është mbyllur testimi i TEC-eve lundruese në Vlorë, e pritet të nisë prodhimi i energjisë. Thatësira e madhe e shoqëruar me temperatura ekstreme po shton ndjeshëm kostot e importit të energjisë, në kushtet kur konsumi vetëm rritet. 

 

Për shkak se kërkesa e nuk po mbulohet me prodhim vendas, pasi niveli i kaskadës së Drinit ka rënë, KESH po blen energji për çdo javë.Në ankandin e fundit për blerje energjie për datat 19 deri më 25 gusht, KESH ka blerë 42 mijë megavat energji elektrike, me çmim 135.3 euro një megavat. Ky është çmimi i dytë më i lartë i regjistruar deri më tani, pasi në korrik në një ankand energjia u ble me 148 euro/megavati.

 

 

Për një javë furnizim, janë shpenzuar 5.6 milionë euro. Fatura e energjisë sa vjen dhe rritet, pasi vetëm për muajin gusht sipas të dhënave janë blerë 177 mijë megavat orë energji elektrike, me çmim 22.7 milionë euro. Kjo shifër është dyfish më e lartë se fatura e muajit korrik që ishte 11,2 milionë euro energji e blerë. Ndërkohë që nga nisja e ankandeve të blerjes së energjisë në mes të muajit qershor e deri më tani për të blerë 358.2 mijë megavat orë energji janë shpenzuar 43.8 milionë euro.

 

Për të shmangur importet e kushtueshme të energjisë KESH planifikon të vërë në punë termocentralet lundruese që ndodhen në Triport në Vlorë brenda muajit shtator, pasi hapi tenderin për të blerë lëndë djegëse pak ditë më parë.

 

 

Report TV ka mësuar se dy gjeneratorët termikë e kanë kaluar edhe fazën e testimit 72-orë që nisi më 15 gusht, dhe tashmë pritet të ri-ndizen për të prodhuar energji elektrike./ReportTv.al

XS
SM
MD
LG