"Dhuna e kolonëve në Bregun Perëndimor provokoi shpërnguljen më të madhe që nga tetori 2023"
Këshilli Norvegjez i Refugjatëve (NRC) bëri të ditur se dhuna e fundit e kolonëve të paligjshëm në Bregun Perëndimor të pushtuar provokoi "shpërnguljen më të madhe të dhunshme" që nga tetori 2023, transmeton Anadolu."NRC i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar të ndërhyjë dhe të mbrojë komunitetet palestineze pasi dhuna e kolonëve të paligjshëm në verilindje të Bregut Perëndimor shkaktoi valën më të madhe të shpërnguljeve të dhunshme të komuniteteve palestineze në javët pas 7 tetorit", thuhet në deklaratë.
Tre komunitete me 119 palestinezë u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre ditët e fundit për shkak të sulmeve, ndërsa dy komunitete të tjera u boshatisën plotësisht, tha NRC duke shpjeguar shkallën e zhvendosjes së detyruar.
Kreu i Konsorciumit Mbrojtës të Bregut Perëndimor të udhëhequr nga NRC, Allegra Pacheco tha se grupi i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar, përfshirë SHBA-së dhe BE-së, "të ndërhyjnë me autoritetet izraelite dhe të mbrojnë këto komunitete të cenueshme".
Autoritetet izraelite "si fuqi pushtuese" janë drejtpërdrejt përgjegjëse "për veprimet e kolonëve të dhunshëm" që kryhen gjithashtu nën mbrojtjen ushtarake izraelite, tha Pacheco, duke shtuar: "Palestinezët po detyrohen të largohen nga toka e tyre në atë mënyrë që qartë përbën një shkelje të rëndë të ligjit ndërkombëtar humanitar".
"NRC i kërkon komunitetit ndërkombëtar që t'i bëjë presion Izraelit që t'ua ndalojë kolonëve izraelitë hyrjen në zonat e banuara, zonat bujqësore dhe kullotat e palestinezëve. Me urdhra ushtarakë duhet të mbyllet të gjitha postet e kolonëve, të paligjshme sipas ligjit izraelit, nga ku planifikohet dhe ushtrohet dhuna", thekson NRC.
Tensionet janë rritur në të gjithë Bregun Perëndimor që kur Izraeli nisi një ofensivë vdekjeprurëse ushtarake kundër Rripit të Gazës, duke vrarë më shumë se 40.170 palestinezë që nga 7 tetori 2023, pas një sulmi nga grupi palestinez Hamas.
Përpos kësaj, të paktën 635 palestinezë janë vrarë dhe rreth 5.400 të tjerë janë plagosur nga ushtria izraelite në territorin e pushtuar.
Më 19 korrik, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) e shpalli "të paligjshëm" pushtimin prej dekadash të tokës palestineze nga Izraeli dhe kërkoi evakuimin e të gjitha vendbanimeve në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor./AA