Lidhje


The Guardian: Furnizoi Izraelin me naftë, Shqipëria mund të akuzohet për krime lufte në Gaza

Ekspertët ligjorë kanë paralajmëruar se vendet përgjegjëse për dërgesat e naftës dhe karburantit në Izrael mund të cilësohen bashkëpunëtorë në krimet e luftës në Gaza. Hulumtimi i ri i porositur nga organizata jofitimprurëse Oil Change International (OCI) ka zbuluar "furnizimin e vazhdueshëm dhe të zgjeruar të naftës duke nxitur gjenocidin e vazhdueshëm të Izraelit". Izraeli mbështetet shumë në këto dërgesa (naftë papërpunuar dhe produkte të rafinuara të naftës) për të fuqizuar avionët luftarakë, tanket dhe automjetet ushtarake në sulmin në Gaza, por edhe për buldozerët e përdorur për të rrafshuar shtëpitë palestineze në Bregun Perëndimor.

 

Studiuesit e OCI, të cilët gjurmuan 65 dërgesa të naftës dhe karburantit në Izrael midis 21 tetorit të vitit të kaluar dhe 12 korrikut, zbuluan se së bashku këto vende i kishin furnizuar Izraelit 4.1 milion ton naftë bruto që nga fillimi i luftës në Gaza. Ndërsa Azerbajxhani mbetet furnizuesi kryesor i Izraelit me naftë bruto, Italia, Shqipëria dhe Greqia gjithashtu furnizuan me naftë të parafinuar vendin pavarësisht vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ) në janar, i cili urdhëroi Izraelin të ndalonte aktet e tij gjenocidale në Gaza dhe paralajmëroi se aleatët e tij rrezikojnë të përballen me akuzat për "bashkëfajësi në gjenocid" nëse vazhdojnë të mbështesin atë.

 

Raporti zbuloi gjithashtu një rritje të furnizimeve afrikane. Gaboni mbetet furnizuesi kryesor i naftës së papërpunuar për Izraelin, por dërgesat po mbërrijnë tani edhe nga Nigeria dhe Kongo-Brazzaville. Ndërkohë, Brazili është përgjegjës për 9 për qind të dërgesave të naftës së papërpunuar në Izrael që nga 7 tetori, duke dërguar gjithashtu një cisternë me karburant në Izrael në prill.

 

“Mospërputhja midis shteteve është shqetësuese, pasi mikpritësit e ardhshëm të Samitit Ndërkombëtar të Klimës (Azejrbaxhani) dërgojnë naftë në një okupim të paligjshëm dhe gjenocid të shumëpërfolur. Kjo tregon se sa larg jemi nga pajtueshmëria me angazhimet për klimën dhe ligjin ndërkombëtar, dhe nevojën urgjente për të ndryshuar kursin botëror”, tha Astrid Puentes Riaño, raportuese speciale e OKB-së për të drejtën e njeriut dhe për një mjedis të shëndetshëm./the guardian

XS
SM
MD
LG