"Mjekët pa Kufij": Evakuimi i Spitalit Al-Aksa në Gaza është i papranueshëm
Organizata humanitare mjekësore ndërkombëtare "Mjekët pa Kufij" (MSF) tha se është "i papranueshëm" fillimi i evakuimit të Spitalit të Dëshmorëve Al-Aksa pas vendimit të ushtrisë izraelite për të evakuuar zonat në lindje të Deir al-Belah në pjesën qendrore të Rripit të Gazës, transmeton Anadolu.MSF postoi në platformën e mediave sociale X në lidhje me situatën në Gaza, e cila është nën sulme intensive nga Izraeli. Në postim thuhet se Izraeli kërkoi evakuimin e zonave pranë Spitalit Al-Aksa të mbështetur nga MSF në Deir al-Belah dhe se shpërthimi që ndodhi afërsisht 250 metra larg spitalit shkaktoi panik dhe shumë njerëz zgjodhën të largoheshin nga spitali.
Në postim thuhet se MSF po mendon të pezullojë trajtimin e të plagosurve ndërsa përpiqet të vazhdojë trajtimet shpëtimtare në spital.
"Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, vetëm 100 nga 650 pacientët këtu mbetën në spital dhe 7 prej tyre ndodhen në reanimacion. Kjo situatë (evakuimi i spitalit) është e papranueshme. Spitali Al-Aksa prej javësh ofron shërbime mbi kapacitetet e tij për shkak të mungesës së ndonjë alternativë tjetër për pacientët. Të gjitha palët ndërluftuese duhet të respektojnë qasjen e spitalit dhe pacientëve në kujdesin mjekësor", tha MSF.
Thuhet se kërkesat e vazhdueshme të Izraelit për evakuim kanë bllokuar qindra mijëra njerëz të zhvendosur në të ashtuquajturën "zonë humanitare" prej vetëm 41 kilometrash katrorë për të kërkuar strehim.
- Izraeli përdor migrimin e detyruar në Gaza si një armë sistematike
Izraeli ka detyruar vazhdimisht palestinezët që jetojnë në Gaza të migrojnë me urdhrat e "evakuimit" që ka lëshuar që nga sulmet që filloi më 7 tetor.
Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara (OKB), 9 në çdo 10 njerëz që jetonin në Gaza u detyruan të migrojnë për shkak të sulmeve izraelite.
Palestinezët, të shpërndarë nga një vend në tjetrin në Rripin e Gazës, po kalojnë një kohë të vështirë për shkak të sulmeve, mungesës së ushqimit si dhe migrimit të detyruar.
Sipas OKB-së, shumica dërmuese e palestinezëve në Rripin e Gazës detyrohen të migrojnë një herë në muaj./AA