Kreu i parlamentit francez kritikohet pasi refuzoi mbajtjen e një minutë heshtjeje për punonjësin e vrarë në Gaza
Një deputete franceze ka kritikuar kryetarin e Parlamentit francez i cili refuzoi të mbajë një minutë heshtje për një punonjës të Ministrisë së Punëve të Jashtme që u vra në një sulm izraelit në Gaza.
Mathilde Panot nga partia e majtë ‘La France Insoumise’ (LFI) në llogarinë e saj në X kujtoi se Ahmad Abu Shamla, punonjës i ministrisë franceze, u vra në sulmet ajrore izraelite.
“Sot në mëngjes kam kërkuar një minutë heshtje në Kuvendin Kombëtar. Kryetari i Kuvendit Kombëtar e ka refuzuar. E turpshme”, shkroi Panot.
Punonjësi i ministrisë, i cili u plagos në një sulm ajror izraelit në Rafah, iu nënshtrua plagëve të shtunën.
Sipas ministrisë, shtëpia e një kolegu nga Konsullata Franceze, ku u strehua punonjësi, u bombardua më 13 dhjetor.
“Kolegu ynë punon për Francën që nga viti 2002”, tha ministria franceze në një njoftim, duke i shprehur ngushëllime familjes së viktimës.
Elsa Faucillon, një ligjvënëse franceze e krahut të majtë, tha se viktima Ahmad Abu Shamla mbeti në Gaza me familjen, pasi Franca nuk autorizoi familjarët e tij për t’u larguar nga enklava e bllokuar.
“Franca nuk i vendosi katër djemtë e tij të mëdhenj në listën e personave të autorizuar për t’u larguar nga Gaza. Ai zgjodhi të qëndronte me ta dhe humbi jetën në një bombardim”, tha ajo.
Izraeli ka bombarduar Rripin e Gazës nga ajri dhe toka, ka vendosur një rrethim dhe ka ndërmarrë një ofensivë tokësore në hakmarrje të sulmit ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor.
Sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës, të paktën 19.600 palestinezë, kryesisht fëmijë dhe gra, janë vrarë në sulmet izraelite dhe mbi 52.500 të tjerë janë plagosur.
Burimi: AA