Pengjet i drejtohen qeverisë së Netanyahut: A doni që ne të vdesim?
Pengjet izraelite të mbajtur në Rripin e Gazës frikohen për jetën e tyre për shkak të sulmeve ajrore izraelite ndaj enklavës së bllokuar, duke i parashtruar pyetje qeverisë së Netanyahut: "A doni që ne të vdesim?"
Krahu ushtarak i Lëvizjes Xhihadi Islamik, Brigadat Al-Quds, publikuan dje një video të dy pengjeve izraelite të mbajtur në Rripin e Gazës, të cilët paralajmërojnë se jeta e tyre është në rrezik për shkak të sulmeve ajrore izraelite.
Në video, Jadi Moses, njëri nga pengjet, iu drejtua miqve të tij, duke thënë se "duhet të intensifikohet presioni për ta bërë qeverinë izraelite të kuptojë se çfarë duam".
"Jemi në një situatë të padurueshme. Ka mundësi që ne të vdesim sepse nuk ka asnjë garanci që ushtria nuk do të na shënjestrojë", shtoi ai, duke iu drejtuar kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe zyrtarëve të tjerë të lartë izraelitë.
"Ne (pengjet) mendojmë se qeveria nuk dëshiron që ne të kthehemi të gjallë", tha ai.
Elad Katzir, një tjetër peng tha: "Jemi në rrezik për shkak të raketave të ushtrisë që kërcënojnë jetën tonë. Na mungojnë shtëpitë tona dhe duam të kthehemi të gjallë".
Katzir i bëri thirrje Netanyahut dhe të gjithë vendimmarrësve në Izrael që "të bëjnë gjithçka që është e nevojshme, të ndalojnë sulmet dhe të arrijnë një marrëveshje për shkëmbimin e të burgosurve".
Gjatë një pauze humanitare njëjavore në Gaza muajin e kaluar, Hamasi liroi 81 izraelitë, 23 shtetas tajlandezë dhe një shtetas filipinas, në këmbim të 240 palestinezëve, përfshirë 71 gra dhe 169 fëmijë.
Izraeli ka bombarduar Rripin e Gazës nga ajri dhe toka, ka vendosur një rrethim dhe ka ndërmarrë ofensivë tokësore në hakmarrje për sulmin ndërkufitar nga grupi i rezistencës palestineze Hamas më 7 tetor.
Ministria e Shëndetësisë në Gaza ka njoftuar se të paktën 19.667 palestinezë janë vrarë dhe mbi 52.580 të tjerë janë plagosur nga sulmet izraelite. Sipas të dhënave zyrtare, mbi 130 pengje ende mbahen nga grupet palestineze në Gaza.
Burimi: AA