Lidhje


"Amnesty International" kërkon hetime urgjente për trajtimin çnjerëzor të palestinezëve të arrestuar në Gaza

Organizata "Amnesty International" shprehu shqetësim të thellë për vendndodhjen e palestinezëve nga Rripi i Gazës së pushtuar, të cilët janë arrestuar nga forcat izraelite.

 

Ky reagim vjen pas raportimeve për zhdukje masive me forcë.

 

Zyra e Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut pranë OKB-së (OHCHR) ka raportuar "incidente të shumta shqetësuese" në pjesën veriore të Gazës, përfshirë ndalime masive, keqtrajtime dhe zhdukje me forcë të mijëra palestinezëve, përfshirë fëmijë.

 

Kriza doli në shesh më 16 dhjetor kur OHCHR-ja mori raportime alarmante, duke bërë që "Amnesty International" të nisë një hetim.

 

Fotot dhe videot, të verifikuara nga Laboratori Emergjent i Provave të "Amnesty International", përshkruajnë trajtimin çnjerëzor dhe degradues të të burgosurve në Beit Lahia, një qytezë në pjesën veriore të Rripit të Gazës. Fati dhe vendndodhja e shumë të arrestuarve mbeten të panjohura, duke ngritur shqetësime të mëdha për sigurinë e tyre.

 

Palestinezët nga Rripi i Gazës, përfshirë punëtorët dhe ata që kanë leje për të hyrë në Izrael, janë zhdukur me forcë. Autoritetet izraelite kanë konfirmuar vdekjen në paraburgim të të paktën 6 palestinezëve, përfshirë 2 punëtorë nga Gaza në tetor dhe nëntor.

 

"Aktualisht jemi duke hetuar raportet e zhdukjeve masive të të burgosurve palestinezë nga forcat izraelite. Ushtria izraelite duhet të zbulojë urgjentisht fatin dhe vendndodhjen e kujtdo që ka ndaluar që nga 7 tetori, përfshirë Nidal al-Waheidi dhe Haitham Abdelwahed, dy gazetarë nga Gaza, të cilët janë zhdukur me forcë për më shumë se dy muaj", tha Heba Morayef, drejtoresha rajonale e "Amnesty International" për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.

 

"Forcat izraelite duhet të specifikojnë arsyet e arrestimit për të ndaluarit dhe të bëjnë çdo përpjekje për t'u siguruar informacion familjeve të atyre që janë në paraburgim, veçanërisht pas ndërprerjeve të telekomunikacionit që kanë shkëputur banorët e Gazës nga njëri-tjetri dhe nga pjesa tjetër e botës", shtoi ajo.

 

Sulmet izraelite në Rripin e Gazës filluan menjëherë pas sulmit të Hamasit më 7 tetor, duke vrarë më shumë se 20 mijë palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë dhe duke plagosur 52.586, sipas autoriteteve shëndetësore në enklavë.

 

Sulmi izraelit e ka kthyer Gazën në gërmadha, ku gjysma e banesave janë dëmtuar ose shkatërruar. Pothuajse 2 milionë njerëz janë zhvendosur brenda enklavës me popullsi të dendur dhe përballen me mungesë të ushqimit dhe ujit të pastër.

 

Burimi: AA

XS
SM
MD
LG