Lidhje


E trishtë në Fier! Misri derdhet në rrugë se nuk ka treg, fermerja: Tallen me ne maskarenjtë, importojnë drithëra nga Serbia!

Misri derdhet në asfaltin e rrugës së Grecallisë, një fshat i njohur për kultivimin e drithërave në Fier. Mungesa e pikave të grumbullimit dhe magazinimit ka vënë në vështirësi fermerët. Shumë prej tyre janë detyruar ta nxjerrin në rrugë misrin e sapo korrur, në pritje të blerësve. Prodhimi është i mbarë këtë sezon në gjithë fushën e Myzeqesë, por çmimi i shitjes është tejet i ulët. Me 2500 lek për kuintal nuk justifikohen as kostot e prodhimit. Kultivuesit  shprehen se shteti duhet të ndërhyjë si rregullator në treg, pasi prodhimi vendas po mbetet stok për shkak të çmimit të lirë të importit.

 

Sipas tyre, sasia më e madhe e drithërave po importohet nga Serbia.

 

 

“Prodhim ka plot por nuk e merr njeri. Vijnë tregtarët këtu e duan kuintalin me 25 mijë lek (të vjetra). Tallen me ne maskarenjtë! Unë kam harxhuar 3 milionë e gjysmë me 2 hektarë! Ku do i marr unë ato para?”, u shpreh e revoltuar një fermere.

 

 

“Vjen misri nga andej (Serbia) se kemi dëgjuar se në portin e Durrësit e sjellin me 21 mijë lek (të vjetra) për kuintal. Po krahasohet ai misër me misrin tonë? As që bëhet fjalë, ne kemi cilësi të lartë! Jemi ankuar sa s’ka më, por s’na ka dëgjuar njeri. Taksat i paguajmë, por shteti nuk na përgjigjet. Ne po falimentojmë”, u shpreh një fermer për mikrofonin e Report tv.

 

 

“Fshatarët duhet të subvencionohen nga shteti. Kosova i ka çmimet 40 për qind më të lira nga ne, sepse i subvencionon shteti ata.  Ne na kanë braktisur, as naftën nuk e marrim, siç na e premtuan”, tha një tjetër fermer i Grecallisë.

 

 

 Bazuar në raportin mbi statistikat e bujqësisë për vitin 2023, prodhimi i drithërave në Shqipëri ishte mbi 700 mijë ton. Qarku i Fierit renditet i pari me 176 mijë ton, pasuar nga Elbasani e Korça. Gruri është kultura kryesore që kultivohet në fushën e Myzeqesë, më pas vijne misri, elbi, thekra, etc./reporttv

XS
SM
MD
LG