Të shtëna në një universitet të Pragës, 15 të vrarë
Të paktën 15 persona u vranë dhe 24 të tjerë u plagosën në një incident me të shtëna sot në një universitet në kryeqytetin e Republikës Çeke, Pragë.
Shefi i policisë Martin Vondrasek tha se personi i armatosur ishte një student 24-vjeçar në Fakultetin e Arteve në Universitetin Charles.
Sulmuesi jetonte në një fshat, 21 kilometra jashtë Pragës dhe babai i tij u gjet i vdekur më herët sot, tha Vondrasek.
Duke cituar gjetjet fillestare, shefi i policisë tha se i dyshuari ishte frymëzuar nga incidente të ngjashme që kanë ndodhur jashtë vendit dhe se ai nuk ishte i lidhur me ndonjë organizatë terroriste.
Trupi i pajetë i të armatosurit u gjet në Fakultetin e Arteve të universitetit, tha Vondrasek, duke shtuar se ai kreu vetëvrasje pas një shkëmbimi zjarri me policinë.
Sipas policisë, nuk ka të dhëna që vrasësi nga Fakulteti i Arteve të ketë pasur bashkëpunëtorë.
Pas incidentit vdekjeprurës, presidenti i vendit Petr Pavel vendosi të ndërpresë udhëtimin e tij në Francë, sipas “Radio Prague International”.
Pavel do të takohet me forcat e sigurimit të shtetit, ndërsa kryeministri Petr Fiala gjithashtu anuloi programin e tij të punës në Olomouc dhe u nis për në Pragë.
Qeveria çeke thuhet se do të mbajë një mbledhje urgjente sonte.
Autoritetet u bënë thirrje qytetarëve që të qëndrojnë larg vendit të ngjarjes dhe të qëndrojnë brenda.
Në videot e qarkulluara në rrjetet sociale dëgjoheshin të shtëna armësh dhe shihej një prani e madhe e policisë.
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen shprehu “ngushëllimet e saj më të thella” pas incidentit.
“Shpreh ngushëllimet e mia më të thella për familjet e viktimave dhe për popullin çek në tërësi. Ne qëndrojmë dhe vajtojmë me ju”, tha ajo në “X”.
Burimi: AA