Raportuesja e OKB-së: Ashtu si në Srebrenicë dhe Ruandë, edhe gjenocidi i Gazës po bëhet me lejen e botës
Raportuesja e posaçme e Kombeve të Bashkuara (OKB) për Palestinën, Francesca Albanese, duke nënvizuar se ato që Izraeli po i bën në Gaza nuk janë aq ndryshe nga masakrat civile në rajonet e tjera të botës, theksoi se edhe gjenocidi në Gaza, ashtu si në Srebrenicë dhe Ruandë, po bëhet me lejen e botës.
Ajo këtë mesazh e ndau në rrjetin social X, duke iu referuar një postimi ku zyra e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut e akuzon Izraelin për ekzekutimin e 11 palestinezëve të paarmatosur para familjeve të tyre në lagjen al-Rimal të Gazës.
"Nëse i shikoni prej afër (ndodhitë në Gaza) mund të shihni se nuk janë aq të ndryshme nga masakrat e tjera civile. Gjenocidi nuk është vetëm një akt, është një proces dhe patjetër duhet të parandalohet, por edhe gjenocidi në Gaza, ashtu si në Srebrenicë dhe Ruandë, po bëhet me lejen e botës", shkroi ajo.
Albanese gjithashtu iu referua edhe mesazhit ku theksohet se gjenocidi në Gaza po bëhet nga mercenarë që vijnë nga Franca, SHBA-ja, Britania, Ukraina, Italia, Gjermania, Afrika e Jugut dhe India, por se askush nuk u thotë atyre luftëtarë të huaj terroristë, duke kërkuar që të bëhet presion mbi sistemet gjyqësore kombëtare për të hetuar dhe ndjekur penalisht në vendet e tyre të shtetësisë ata që kryejnë krime lufte jashtë vendit, duke përfshirë në territoret e pushtuara palestineze.
Burimi: AA