Ministrja e Jashtme sllovene: “N*etanyahu, ndalo luftën!”
Ministrja e Jashtme sllovene Tanja Fajon i bëri thirrje qeverisë izraelite që të ndalojë ofensivën e saj joproporcionale ushtarake në Gaza dhe Liban. “Netanyahu, ndalo luftën!”, tha ajo, duke shprehur shqetësimin e saj për rritjen e viktimave civile dhe rrezikun në rritje të një lufte më të gjerë rajonale në Lindjen e Mesme. “Ajo që ne shohim në terren është më shumë se një milion persona të zhvendosur. Një ofensivë tokësore … që ne po u bëjmë thirrje me forcë të gjitha palëve që të përmbahen nga ajo, të mbrojnë civilët dhe të mos shkojnë më tej në përshkallëzimin e luftës”, tha Fajon për Anadolu, gjatë vizitës së saj në Berlin.
Kryediplomatja sllovene tha se vendet anëtare të Bashkimit Evropian janë jashtëzakonisht të shqetësuara për përshkallëzimin e fundit dhe se po vazhdojnë përpjekjet e tyre për një armëpushim të menjëhershëm humanitar.
“Ne gjithmonë kemi thënë se ajo që po ndodh në Gaza, me shkelje të ligjit ndërkombëtar, me vrasje të civilëve të pafajshëm dhe fëmijëve dhe grave, do të përshkallëzohet më tej”, tha ajo.
“Dhe kjo është ajo që ne po dëshmojmë sot. Pra, është një thirrje urgjente e gjithë Bashkimit Evropian, veçanërisht vendit tim, për të ndaluar këtë dhunë në terren, për të mbrojtur civilët dhe për respektimin e ligjit ndërkombëtar”, shtoi ministrja sllovene.
Që nga 23 shtatori, Izraeli ka kryer sulme masive ajrore kundër atyre që i quan objektiva të Hezbollahut në gjithë Libanin, duke vrarë më shumë se 1.057 njerëz dhe duke plagosur mbi 2.950 të tjerë, sipas Ministrisë libaneze të Shëndetësisë.
Disa liderë të Hezbollahut janë vrarë nga sulmet, duke përfshirë liderin e saj Hassan Nasrallah.
Hezbollahu dhe Izraeli janë përfshirë në luftë ndërkufitare që nga fillimi i luftës së Izraelit në Gaza, e cila ka vrarë mbi 41.600 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, pas një sulmi ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor të vitit të kaluar.
Komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar se sulmet izraelite në Liban mund ta përshkallëzojnë konfliktin e Gazës në një luftë më të gjerë rajonale./AA