Mijëra njerëz në tubimin në mbështetje të Gazës në Ankara: Izraeli është vrasës
Në kryeqytetin e Türkiyes, Ankara, u mbajt një "Tubim i madh në mbështetje të Gazës" në të cilin morën pjesë disa mijëra qytetarë për të tërhequr vëmendjen e publikut për tragjedinë njerëzore në Rripin e Gazës.
Pavarësisht motit mjaft të ftohtë, qytetarë të shumtë morën pjesë në tubimin e organizuar nga Platforma për Solidaritet me Palestinën.
Në tubim morën pjesë edhe përfaqësues të shumtë të partive politike dhe organizatave joqeveritare, kryetarë komunash dhe ambasadori palestinez në Ankara, Faed Mustafa. Një grup qytetarësh mbanin kukulla që simbolizonin të vrarët dhe të plagosurit në Gaza.
Turma ka brohoritur me slogane si "Së bashku kundër shtypjes", "Një mijë përshëndetje për Gazën", "Ankaraja është me ju" dhe "Rezistoni, jini të lirë". Qytetarët mbanin gjithashtu pankarta me mbishkrimet "Palestina nuk është vetëm" dhe "Izraeli është vrasës".
Në tubim u lëshuan balona në qiell për trevjeçarin Reem dhe të gjithë fëmijët e tjerë që u vranë në sulmet izraelite në Gaza.
Metin Mahitapoglu nga Platforma për Solidaritet me Palestinën lexoi një deklaratë në mbështetje të Gazës. Në deklaratë thuhet se spitalet, shkollat, xhamitë, kishat, shtëpitë, tregjet dhe kuzhinat e ushqimeve janë bombarduar në Gaza për 78 ditë dhe se janë masakruar gra, foshnja, fëmijë, punonjës shëndetësorë, punonjës humanitarë dhe gazetarë.
Gjithashtu thuhet se shumë vende perëndimore, veçanërisht SHBA-ja, janë bashkëfajtorë në masakrën që Izraeli po kryen kundër palestinezëve. Deklarata thekson se Gaza sot është një provë për mbarë njerëzimin.
Sulmet izraelite e kanë lënë Rripin e Gazës në gërmadha me gjysmën e banesave të dëmtuara ose të shkatërruara dhe rreth 2 milionë njerëz të zhvendosur brenda enklavës për shkak të mungesës së ushqimit dhe ujit të pastër.
Burimi: AA