Raporti i antidrogës italiane, trafikantët shqiptarë gjithnjë e më të fuqishëm
Friday, 11 October 2024 12:14
Raporti i vitit 2024 i Drejtorisë Italiane të Antidrogës, që i referohet të dhënave të vitit 2023, thekson përparimin e shpejtë të organizatave kriminale shqiptare në Itali, veçanërisht në trafikun e drogës. Sipas raportit, trafikantët shqiptarë po bëhen gjithnjë e më të fuqishëm dhe agresivë në këtë fushë.
Në vitin 2023, 171 grupe shqiptare u identifikuan si pjesë e trafikut të drogës, ndërsa 1,432 shqiptarë u raportuan për përfshirje në shpërndarjen e lëndëve narkotike. Këta përfaqësojnë 16.44% të të huajve të akuzuar për vepra të lidhura me drogën, duke i renditur shqiptarët të dytët pas marokenëve për raste të lidhura me këtë aktivitet kriminal në Itali.
Një pjesë e madhe e shqiptarëve të raportuar janë të përfshirë në trafikun e kokainës, me 1,263 raste të raportuara në 2023, shifër kjo në rritje nga 1,211 të raportuara në vitit 2022. Organizatat shqiptare kanë krijuar rrjete të fuqishme për të menaxhuar çdo aspekt të zinxhirit të trafikut të kokainës, duke filluar nga blerja në vendet prodhuese, deri te transporti dhe shpërndarja e saj në Itali.
Raporti thekson gjithashtu se Shqipëria ka një lidhje të ngushtë me Italinë përmes bashkëpunimit të grupeve kriminale, veçanërisht në trafikun e marijuanës dhe heroinës përmes rrugës së Ballkanit.
Grupet shqiptare operojnë shpesh në bashkëpunim me mafien kalabreze dhe organizata të tjera italiane, duke përdorur rrugë të mirorganizuara për trafikun e drogës nga rajone të ndryshme të botës.
"Për organizatat kriminale nga e gjithë bota të përfshira në trafikun e drogës, Kolumbia është një vend i rëndësisë strategjike. Aktualisht kartelet meksikane, ato braziliane dhe mafia shqiptare duket se janë partnerët kryesorë të rrjeteve kolumbiane. Krimi i organizuar italian historikisht më i lidhur me trafikun nga Kolumbia është ‘Ndrangheta’. Organizata tjetër ‘Camorra’, edhe pse nuk është e pranishme në formë të përhershme, duket se përfiton nga furnitorët kolumbianë", thuhet ndër të tjera në raport./JOQ