Fëmija nga Gaza shkruan libër për "jetët e tyre të shkatërruara" nga bombardimet izraelite
Palestinezi 15-vjeçar Abdullah Abu Sultan nga tenda ku ai dhe familja e tij strehohen në Rripin e Gazës që ndodhet në sulmet intensive izraelite, po shkruan një libër me tregime për "jetët e tyre të shkatërruara" për shkak të bombardimeve.
Për shkak të sulmeve të Izraelit në Rripin e Gazës, humbjet e jetëve të grave, fëmijëve dhe civilëve po rriten çdo ditë e më shumë. Po shkatërrohen edhe jetët e familjeve palestineze që kanë mbijetuar. Me më shumë se 20 mijë të vrarë dhe mbi 50 mijë të plagosur, janë shpërbërë shumë familje për arsye të tilla si largime nga shtëpitë e tyre dhe migrimi i detyruar.
Edhe 15-vjeçari Abdullah Abu Sultan që jeton në qytetin e Gazës, është një nga palestinezët që është detyruar të migrojë bashkë me familjen e tij si pasojë e bombardimeve izraelite. Pas zhvendosjes disa herë me familjen e tij, Abu Sultan është strehuar në një kamp në qytetin Rafah dhe nga tenda po shkruan libër me tregime që tregojnë shkatërrimin e jetëve të tyre për shkak të bombardimeve.
Duke folur për Anadolu, Abu Sultan tha se vazhdon "shkrimin" e librit me tregime si një detyrë (borxh) besnikërie ndaj rekomandimit nga mësuesi i tij i dashur që humbi jetën në sulmin izraelit. Abu Sultan tha se po shkruan tregimet (historitë) e palestinezëve të shkatërruar (copëtuar) me sulmet izraelite në Gaza dhe se veprën e tij e ka emërtuar "të shkatërruarit" (të copëtuarit).
"Jemi zhvendosur disa herë nga vendi ynë"
Pasi shpjegoi përjetimet e tyre në sulmet e Izraelit në qytetin e Gazës, Abu Sultan tha: "Jemi zhvendosur nga vendi ynë për shkak të bombardimeve të vazhdueshme të zonës ku ndodhej shtëpia jonë. Shkuam në shtëpinë e dajës, aty ishte shtëpia e parë ku u strehuam. Por, edhe aty situata u përkeqësua. Zona filloi të bombardohej vazhdimisht, shtëpitë përreth bombardoheshin gjithnjë".
Më pas familja migroi në lagjen Zahra ku disa ditë më pas edhe ndërtesa në të cilën qëndruan u bombardua, tha Abu Sultan duke shtuar se në zonën Zahra u shenjëstruan dhe u shembën të gjitha ndërtesat shumëkatëshe. "Nga bombardimi i lagjes Zahra, u strehuam në një ndërtesë në sheshin 'Palestina' dhe që nga aty u shënjestruam nga avionët luftarakë izraelitë", tha Abu Sultan i cili ndau informacionin se janë zhvendosur shumë herë.
Ai tha se si pasojë e shënjestrimit të vendeve ku strehoheshin u detyruan të dalin nga qyteti i Gazës dhe se në kërkim të një vendi të sigurt kanë ardhur në Rafah.
"Kur mbërritëm në Rafah mësova se mësuesi im Majid Azzam kishte rënë dëshmor. Ishte personi i cili më mbështeste që unë të shkruaja, më inkurajonte për aftësitë e mia në këtë çështje. Më kishte inkurajuar që të shkruaja tregimin tim të parë të emërtuar 'Mbeta vetëm'", tha Abu Sultan duke theksuar se bashkë me familjen e tij janë strehuar në "Qendrën e Strehimit Kuds" në Rafah.
"Duke shkruar largohem nga bota brenda të cilës ndodhem"
Abu Sultan thotë se pasi mësuesi i tij ndërroi jetë, filloi të shkruajë edhe si detyrë besnikërie ndaj inkurajimit të mësuesit. Ai bëri të ditur se ka filluar të shkruajë tregimin e dytë. "Duke shkruar dhe lexuar përpiqem të largohem nga bota dhe vështirësitë brenda të cilave ndodhem", u shpreh ai.
Ai tha se dëshiron përfundimin sa më parë të sulmeve dhe rikthimin në shtëpinë e tij në qytetin e Gazës. "Ashtu si të gjithë fëmijët në botë dëshiroj të jetoj një jetë normale me familjen time larg nga bombardimet dhe shkatërrimet", tha palestinezi Abu Sultan.
Burimi: AA