Deputeti i Ramës, ditën miratonte ligje në kuvend natën strehonte kriminelët
Tuesday, 22 October 2024 07:45
Kriminelët që mbronte dhe që u jepte informacion, i premtuan se do e bënin deputet dhe me bekimin e Ramës e vendosën Jurgis Çyrben në listë të sigurt. Deputeti socialist, i cili mori më shumë se 6 mijë vota në Durrës, ditën miratonte ligje në Parlamentin Shqiptar, ndërsa natën hante dhe pinte me kriminelë që kishin kryer vrasje dhe që kishin ndërhyrë tek kryeministri, për ta futur atë në listë të sigurt për deputet.
Çyrbja akuzohet se ka strehuar Hajrin në banesën e tij pas vrasjes, një veprim që ka dalë në pah falë komunikimeve të kapura në platformën e koduar SKY ECC. Këto prova janë thelbësore për hetimin, i cili po vazhdon të zbardhë detaje të reja lidhur me këtë çështje.
Akuzat ndaj Çyrbjes përfshijnë “korrupsion aktiv zgjedhor”, “përkrahje e autorit të krimit” dhe “tregtimi i sekretit shtetëror”. GJKKO (Gjykata e Posaçme për Krimet e Rënda) ka caktuar masën e sigurisë arrest me burg, që u ekzekutua në qytetin e Durrësit. Hetimet tregojnë se ai ka pasur lidhje të ngushta me individë të përfshirë në aktivitete kriminale dhe këta të fundit e kanë ndihmuar për t’u futur në listat e kandidatëve për deputetë dhe pastaj në fitimin e mandatit./JOQ