"A është kjo ëndërr apo realitet?": Banorët e zhvendosur të Gazës shpresojnë të zgjohen nga "makthi" që po përjetojnë
Ebu Ibrahim, një palestinez i zhvendosur që jeton në një tendë në kushte të vështira në qytetin Rafah në jug të Rripit të Gazës, tha se “po përjetojnë një makth dhe shpresojnë të zgjohen prej tij”.
Ibrahim, 50 vjeç, përjetoi disa zhvendosje që filluan 80 ditë më parë nga shtëpia e tij në qytezën Abasan Al-Jadida, në lindje të qytetit të Khan Younis në jug të enklavës.
Duke u përpjekur për të ndezur një zjarr për të gatuar ushqim për fëmijët dhe gruan e tij, Ebu Ibrahim tha: “Shikoni duart, sytë dhe fytyrën time. Gjithçka është e zezë nga ky zjarr, sepse nuk mund të gjejmë asgjë tjetër për ta ndezur zjarrin përveç letrës, kashtës dhe najlonit. Tymi i zi që nuk pushon së dali, më nxin duart, fytyrën dhe më djeg sytë”.
Izraeli ka nisur një fushatë masive ushtarake në Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor, duke vrarë të paktën 21.110 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe duke plagosur 55.243 të tjerë, sipas autoriteteve lokale shëndetësore.
- “Ne e dimë se uji dhe ushqimi janë të ndotur”
“Ne pimë ujë të kontaminuar dhe hamë ushqim të kontaminuar dhe e dimë këtë sepse kryesisht e gatuajmë duke përdorur najlon që mbulon ushqimin me tymin e tij të zi”, tha Ibrahim.
“Por ne nuk kemi zgjidhje tjetër pasi unë kam fëmijë për të ushqyer”, shtoi ai.
“Do të doja të kem ëndërruar dhe të zgjohesha. Pyes veten në çdo moment, a është kjo ëndërr apo realitet?”, përshkroi palestinezi ndjenjat e tij.
“Kemi arritur në një gjendje histerie nga këto kushte çnjerëzore që po jetojmë dhe nuk e kemi pritur kurrë që të përjetojmë një ditë të tillë. Ky është një makth”, tha ai.
"Sa herë që lëvizim, forcat izraelite bombardojnë zonat ku strehohemi dhe na thonë të largohemi”, u ankua ai.
Ebu Ibrahim nuk e di fatin e shtëpisë së tij në Abasan Al-Jadida, por shpreson të kthehet në të, duke thënë: “Dëshiroj të kthehem në shtëpinë time dhe të jetoj si një njeri normal, duke lënë pas jetën si i pastrehë”,
Në një cep të çadrës prej pëlhure dhe disa copa najloni, gruaja e Ebu Ibrahimit ishte ulur e rrethuar nga fëmijët e saj, ende duke luftuar për të kuptuar realitetin se po jetojnë në kushte të tilla.
“Nuk mund të besoj apo të përshtatem me këtë situatë të re. Ndihem sikur po jetoj në një makth”, tha ajo, duke pyetur: “A është vërtet kjo jeta jonë?”
- “Të jetosh nën qiell të hapur pa ushqim dhe ujë”
Në një zonë tjetër aty pranë në qytetin Rafah, ku tendat për të zhvendosurit janë të shpërndara, gruaja palestineze Ahlam Shalh u ul me fëmijët e saj të pastrehë pasi u zhvendos nga kampi i refugjatëve Nuseirat në Rafah.
“Unë jam nga qyteti i Gazës. Ne u zhvendosëm në kampin Nuseirat në fillim të luftës dhe dje ushtria izraelite na kërkoi të largoheshim nga kampi për në qytetin Deir al-Balah ose Rafah”, tha Ahlam për Anadolu.
Ajo shtoi: “Vendosëm të shkojmë në pjesën më jugore të Rripit të Gazës, por nuk gjetëm strehë. Këtu jemi ulur pa ushqim, ujë, apo edhe batanije”.
Hind Abdel Nabi, një tjetër grua palestineze e zhvendosur, gjendja e së cilës nuk është shumë ndryshe, tha se ajo ka ardhur në Rafah me fëmijën e saj që vuan nga një sëmundje e zemrës.
“Shtrihemi në trotuar, duke vuajtur nga nxehtësia e diellit gjatë ditës dhe duke vuajtur nga i ftohti gjatë natës. Nuk gjej dot strehë e as batanije”, tha ajo për Anadolu.
“Kam kërkuar shumë një tendë për të strehuar fëmijët e mi, por nuk kam gjetur. Dua një strehë për fëmijët e mi”, apelon ajo.
Sulmi izraelit e ka lënë Gazën në gërmadha, me 60 për qind të infrastrukturës së enklavës të dëmtuar ose shkatërruar dhe gati 2 milionë njerëz të zhvendosur, të cilët përballen me mungesë akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.
Ndërkaq, rreth 1.200 izraelitë besohet se janë vrarë në sulmin e Hamasit.
Burimi: AA