Izraeli bombardon zonën përreth spitalit Al-Amal në Gaza, vriten 10 palestinezë
Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze njoftoi se të paktën 10 palestinezë humbën jetën dhe 12 të tjerë u plagosën si pasojë e shënjestrimit nga ushtria izraelite ndaj zonës përreth spitalit Al-Amal në Khan Younis në jug të Rripit të Gazës.
Në një deklaratë që Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze ka bërë nga llogaria e saj në median sociale, thuhet se ushtria izraelite brenda një periudhe në më pak se një orë vendosi në objektiv 3 herë zonën përreth spitalit.
"Të paktën 10 persona humbën jetën dhe 12 të tjerë u plagosën si pasojë e bombardimit të Izraelit ndaj zonës në afërsi të spitalit Al-Amal në Khan Younis që i përket Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze", thuhet në deklaratë.
Ushtria izraelite edhe më parë ka shënjestruar zonën përreth spitalit dhe qendrën e Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze në Khan Younis. Izraeli në fillim të këtij muaji e shpalli "fushëbetejë" rajonin Khan Younis që ndodhet në jug të Gazës dhe të cilin Izraeli pretendon se "është i sigurt".
Pas këtij vendimi ushtria izraelite intensifikoi sulmet ajrore ndaj rajonit dhe me njësitë e saj tokësore pushtoi disa zona të Khan Younis. Sipas një deklarate nga Ministria e Shëndetësisë në Gaza, ka arritur në 21.110 numri i palestinezëve të vrarë në sulmet që Izraeli ka ndërmarrë që nga 7 tetori e deri më tani.
Të paktën 8.800 nga të vrarët në sulme e përbëjnë fëmijët ndërsa 6.300 gratë. Në sulmet izraelite janë plagosur 55.243 persona.
Burimi: AA