Ministri palestinez i Ekonomisë: Me kërkesë tonë, Palestina e përjashtuar nga ndalesa turke e tregtisë me I"zraelin
Ministri i Ekonomisë Kombëtare i Palestinës, Mohammed Al-Amour, duke theksuar se eksportet në Palestinë u rritën pasi Türkiye ndaloi tregtinë me Izraelin, tha se "Nga qeveria turke kërkuam që tokat palestineze të përjashtohen nga vendimi i Türkiyes për të ndaluar tregtinë me izraelitët". Al-Amour, i cili gjendet në Istanbul për të marrë pjesë në mbledhjen e 40-të të Komitetit të Përhershëm për Bashkëpunim Ekonomik dhe Tregtar të Organizatës së Bashkëpunimit Islam (ISEDAK), realizoi një intervistë me Anadolu.
Duke folur për mbështetjen e popullit turk, presidentit Recep Tayyip Erdoğan dhe qeverisë turke ndaj Palestinës, ministri palestinez falënderoi për mbështetjen që i është dhënë popullit palestinez në çdo fushë.
"Qëndrimi dhe mbështetja e tyre vëllazërore ka pasur një ndikim pozitiv në shpirtin e popullit palestinez në të gjitha rajonet dhe mbështetja e tyre e vazhdueshme ka pasur një ndikim të madh në lehtësimin e kësaj lufte kundër popullit tonë", u shpreh ai.
Duke vlerësuar aktivitetet e Türkiyes në drejtim të bërjes së presionit ndërkombëtar ndaj Izraelit për ndalimin e kësaj lufte mizore, Al-Amour tha:
"Në fakt, marrëdhënia tregtare midis Palestinës dhe Türkiyes është historike dhe afatgjatë. Shumica e mallrave që i nevojiten popullit palestinez importohen ose drejtpërdrejt nëpërmjet tregtarëve palestinezë ose nëpërmjet kompanive të tjera. Për shkak të realitetit gjeografik dhe faktit që Palestina është ende nën okupim, ne ishim duke përdorur portet izraelite dhe ende i përdorim ato".
- "Palestina u përjashtua nga ndalimi i tregtisë me Izraelin me kërkesën tonë"
Ai rikujtoi se pas luftës ndaj Gazës, qeveria turke ndërpreu marrëdhëniet tregtare me qeverinë izraelite, me vendim të presidentit Erdoğan, për parandalimin e qeverisë izraelite dhe për t'i bërë presion asaj që të ndalojë luftën.
Duke theksuar se kanë shqyrtuar situatën për sa u përket mekanizmave që do të sigurojnë që tregu palestinez të mos jetë i privuar nga mallrat turke, Al-Amour tha se janë marrë vesh mbi një mekanizëm specifik. "Nga qeveria turke kërkuam të përjashtonte tokat palestineze nga vendimi i Türkiyes për të ndaluar tregtinë me izraelitët", u shpreh ministri palestinez.
Më tej, Al-Amour, duke vënë në dukje se po kryhen studime më të hollësishme për të siguruar që mallrat e eksportuara nga Türkiye të arrijnë vetëm në tregun palestinez, ai shpjegoi se ata ranë dakord për këto mekanizma në takimin e tyre me ministrin turk të Tregtisë, Ömer Bolat, më 8 qershor.
- "Kemi nevojë për produktet e Türkiyes që populli ynë të jetojë"
Duke deklaruar se ata kanë nevojë për mbështetjen e arabëve dhe muslimanëve për të siguruar elementët që do të sigurojnë mbijetesën e ekonomisë së vendit nën hijen e luftës që Palestina është e ekspozuar, Al-Amour tha se "Ne një kohë të gjatë po bëjmë tregti me Türkiyen dhe kemi nevojë për produktet e Türkiyes që populli ynë të jetojë".
Në takimin që sot ka realizuar me homologun e tij turk, Al-Amour tregoi se e ka falënderuar atë për mbështetjen e vazhdueshme të eksporteve në Palestinë me praktikat dhe udhëzimet e Ministrisë.
Ai theksoi se veçanërisht eksporti i hurmave palestineze në Türkiye ofron mbështetje për prodhuesit palestinezë që janë në luftë.
- "Produktet që më parrë merreshin nëpërmjet Izraelit tani importohen drejtëpërdrejt"
Ai potencoi se tregtia mes Palestinës dhe Türkiyes kryhej përmes Izraelit para luftës dhe praktikave të reja të Türkiyes.
"Por, pasi Türkiye ndaloi eksportet në Izrael, kjo tregti u kufizua vetëm me Palestinën, dhe kështu ndodhi një rritje të eksporteve të Türkiyes në Palestinë. Sepse disa nga importet tona nga Türkiye janë bërë përmes tregut izraelit dhe tregtarëve izraelitë. Pasi kjo u ndalua, të gjitha transaksionet në tregun palestinez filluan të kryheshin përmes tregtarëve palestinezë dhe për këtë arsye shifrat u rritën. Prandaj, ka pasur një rritje të dukshme në marrëdhëniet tregtare midis Türkiyes dhe Palestinës", shpjegoi ai.
Duke vënë në dukje se mallrat turke tani kontrollohen nga një mekanizëm i zbatuar me konsensus dhe marrëveshje midis Ministrisë Palestineze të Ekonomisë Kombëtare dhe Ministrisë Turke të Tregtisë, Al-Amour tha: "Këto produkte arrijnë në tregun palestinez në kuadër të procedurave strikte dhe precize".
Ai foli edhe për kodet eksportit. "Para vendimit të Türkiyes për të ndaluar eksportet në Izrael, ekzistonte një kod 624 për Izraelin dhe 625 për palestinezët. Disa nga importet tona janë bërë me kod izraelit. Pas masave të marra nga Turqia, kodi izraelit u ndërpre dhe të gjitha eksportet e Türkiyes drejt Palestinës u bënë vetëm përmes kodit palestinez dhe ne e morëm çështjen nën kontroll me këtë mekanizëm", theksoi Al-Amour.
- "Pretendimet e pabazuara i shërbejnë vetëm qeverisë izraelite"
Ministri palestinez mes tjerash shprehu edhe dëshirën që t'i ngrenë në nivele më të larta marrëdhëniet ekonomike midis Türkiyes dhe Palestinës.
"Me lejen e Allahut, kjo luftë e padrejtë ndaj popullit tonë do të ndalet dhe do të krijohet një atmosferë pozitive që kjo marrëdhënie me Türkiyen të intensifikohet dhe thellohet. Aktualisht jemi në procesin e krijimit të Zonës Industriale Jenin, e cila është një zonë e përbashkët industriale midis Türkiyes dhe Palestinës. Është e vërtetë që krijimi i kësaj zone industriale është pezulluar në periudhat e mëparshme, por ne kemi hedhur themele të reja për të arritur në një fazë ku ajo të përfundojë sa më shpejt dhe të shohim së bashku industrinë e përbashkët palestinezo-turke", tha Al-Amour.
Ai shprehu shpresën se në periudhën e ardhshme horizonti i bashkëpunimit të ndërsjellë ekonomik midis Türkiyes dhe Palestinës do të zgjerohet edhe më tej. "Ka mundësi të mëdha investimi në Palestinë dhe presim që edhe biznesmenët turq të investojnë në Palestinë. Kur të përfundojë kjo luftë e padrejtë dhe të shihen horizontet politike, dashtë Zoti do të ketë bashkëpunim të madh mes biznesmenëve turq dhe palestinezë nën kujdesin e qeverive të dy vendeve", theksoi ai.
Duke thënë se disa pretendime të pabazuara janë bërë kundër qeverisë turke, Al-Amour tha: "Këto i shërbejnë vetëm qeverisë izraelite dhe i japin mbështetje luftës izraelite kundër popullit tonë"./AA