Dëshmitarët e B.aniyasit, m.asakrës së r.egjimit të Asadit, rrëfejnë për herë të parë t.merrin e përjetuar

Dëshmitarët e masakrës në fshatin Beyda të qytetit Baniyas në Sirinë perëndimore, në të cilën regjimi i Bashar Asadit vrau 248 civilë, folën për herë të parë për përvojat e tyre, ndërsa kamerat e Agjencisë Anadolu (AA) kapën gjurmët e ngjarjes së 11 viteve më parë. Në luftën civile që shpërtheu kur regjimi i Asadit u përpoq të shtypte me dhunë lëvizjet popullore që filluan të kërkonin liri në vitin 2011, regjimi kreu një nga masakrat më të mëdha në fshatin Beyda të Baniyasit, që është pjesë e provincës Tartus.
Forcat e përbëra nga institucionet e sigurisë si ushtria, inteligjenca, Zyra Politike e Sigurisë dhe policia ushtarake, veçanërisht forcat Shabiha të regjimit të përmbysur, rrethuan fshatin Beyda më 2 maj 2013.
Forcat e regjimit hynë në fshat dhe fillimisht mblodhën civilët në shesh.
Ndërsa burrat u zgjodhën dhe u grumbulluan në një dyqan të vogël telefonash, gratë dhe fëmijët u mbyllën në disa shtëpi me pamje nga sheshi i fshatit.
Forcat e regjimit masakruan civilë të frikësuar me breshëri plumbash dhe u vunë flakën objekteve ku ndodheshin.
Masakra e nisur në fshat më 2 maj, vazhdoi më 3 maj, kur të gjitha shtëpitë u kontrolluan një nga një dhe të gjeturit u vranë. Rrethimit i mbijetuan vetëm ata që e kuptuan herët situatën dhe shpëtuan.
Gjatë masakrës, në të cilën u vranë gjithsej 248 civilë, forcat e regjimit përdorën edhe metoda brutale, si vrasja e disa fshatarëve duke i lidhur në automjete që shkonin në drejtim të kundërt dhe duke i copëtuar.
Masakra në Baniyasit u vlerësua nga qarqet akademike ndërkombëtare dhe ekspertët e kërkimit në terren si “strategji e regjimit për të provokuar kundërshtarët, për t’i kthyer ngjarjet në një luftë sektare dhe për të bashkuar kështu përkrahësit afër tij me dëshirën për të mbijetuar”.
Në intervistat e realizuara nga korrespondenti i AA-së me fshatarët, shihet se frika dhe heshtja pas masakrës, edhe pse të zvogëluara, po vazhdonin ende, dhe se shumë njerëz ende e kishin të vështirë të besonin përmbysjen e regjimit, çlirimin e tyre nga trysnia.
Dëshmitarët e masakrës folën për herë të parë pas përmbysjes së regjimit. Shtëpitë ku forcat e i grumbulluan civilët që kishin vrarë dhe u vunë flakën u filmuan gjithashtu nga Anadolu.
- “Të të vrasim ty apo djalin tënd?”
Abdussettar Halil, një nga dëshmitarët okularë të masakrës, tha se ishte dëshmitar i shumë detajeve të brutalitetit. “E fejuara ime dhe familja e saj u vranë. U vranë dy djem, dy fëmijë, tri vajza dhe nëna dhe babai nga familja”, tha ai.
“Masakra ndodhi në maj 2013. Fshati u bastis sepse kundërshtonte regjimin e Asadit. Ekzekutimi u krye në një fushë të hapur”, shtoi ai.
Halil, i cili fajëson forcat Shabiha dhe ushtrinë për ekzekutimet, e përshkroi momentin më të dhimbshëm që përjetoi:
“Ishte një foshnjë 6-muajshe. Filloi të qajë nga zhurma dhe të shtënat e armëve. I kërkuan nënës që t’ia mbyllte gojën foshnjës. Ata i thanë nënës nëse nuk mund ta heshtni, do ta bëjmë ne. Dhe ata qëlluan për vdekje fëmijën me armë. Ata gjithashtu pyetën një person: ‘Të të vrasim ty apo djalin tënd?’ Isha dëshmitar i asaj që ata thanë. Ata e pyetën dy herë. Kur burri tha: ‘Mos e prek, më vrit mua’, ata e qëlluan djalin e tij para tij”.
Duke theksuar se forcat e regjimit masakruan civilët duke i grumbulluar në një zonë të caktuar, Halil tha se viktimat i varrosën në varre masive.
“Feja jonë është fe e tolerancës dhe dashurisë. Ne duam që qeveria e re të ndjekë penalisht vrasësit. Duam të shmangen përpjekjet individuale të hakmarrjes që mund të krijojnë kaos”, shtoi ai.
- “Ata kryen çdo krim që mund të ekzistojë në Tokë”
Hasan Yahya Bayasi, një nga banorët e fshatit Beyda, tha në deklaratën e tij në dyqanin e telefonave ku u masakrua grupi i parë: “Ata kryen çdo krim që mund të ekzistojë në Tokë, nga vrasja deri te djegia, nga ekzekutimi me thikë deri te prerja e kokave dhe krahëve. Kryen krime të tmerrshme në fshat”.
Duke theksuar se 23 të afërm të tij, mes tyre edhe fëmijë, u vranë brutalisht në këtë masakër, Bayasi tha: “Na e dogjën fshatin para syve, gjurmët e zjarrit janë ende aty”.
Bayasi mbajti përgjegjës për sulmin forcat e regjimit dhe Hilal Asadin, kushëririn e Bashar Asadit, udhëheqësit të rrëzuar të regjimit Baath, dhe vuri në dukje se të paktën një person nga çdo shtëpi në fshat u vra në këtë masakër.
“Ata e morën Sheikh Omerin (një nga krerët e fshatit). E urdhëruan të flasë ashtu siç deshën. Por ai tha se do ta fliste vetëm të vërtetën. Meqë nuk veproi ashtu siç e urdhëruan, e vranë atë, gruan dhe djalin e tij”, tregon Bayasi.
Duke thënë se Mahiri, vëllai Bashar Asadit, gjithashtu duhet të mbahet përgjegjës për atë që ndodhi, Bayasi tha: “Nuk ka pasur një masakër të tillë as në Bosnjë dhe Hercegovinë. Familja Asad ka kryer gjëra edhe më të tmerrshme”.
- Forcat e regjimit erdhën 2 muaj më vonë dhe kryen një tjetër masakër
Forcat e regjimit, të cilat shkaktuan brutalitet në fshatin Beyda në maj, bastisën fshatin për herë të dytë më 20 korrik 2013 dhe shënjestruan familjen Fettuh.
Frocat Shabiha bastisën shtëpinë e familjes Fettuh, që ndodhej menjëherë pas xhamisë në sheshin e fshatit, dhe vranë 17 persona nga katër familje, i mblodhën në një dhomë të shtëpisë dhe hapën zjarr mbi ta.
Teksa u larguan, ata i vunë flakën shtëpisë.
Adnan Fettuh, një nga të moshuarit e familjes, i cili i përshkruan ato ditë me dhimbje dhe tregoi shtëpinë e djegur, tha se nuk e ka harruar atë që ka përjetuar dhe kërkoi që kriminelët të gjykohen në Beyda.
Rasha Fettuh, e cila në momentin e ngjarjes ishte në klasën e katërt, deklaroi se i shpëtoi masakrës pasi nuk shkoi në fshat më 20 korrik dhe qëndroi në Baniyas, pavarësisht këmbënguljes së familjes.
Fettuh nënvizoi se kur forcat e regjimit u dërguan mesazh atyre që u larguan nga fshati gjatë masakrës së parë dhe i njoftuan se fshati ishte tashmë i sigurt, prindërit e tyre besuan dhe u kthyen në fshat dhe u masakruan.
- Në masakrën e Baniyasit përmendet edhe emri i liderit terrorist Mihraç Ural
Udhëheqësi terrorist i quajtur Mihraç Ural, i cili kontrollonte rajonet Keseb dhe Basit të Latakisë me milicinë për të cilën vepronte, Shabiha, gjithashtu mori pjesë në Masakrën e Baniyasit.
Ural luajti gjithashtu një rol në sulmet me bomba në rrethin Reyhanlı të Hatayit në Türkiye më 11 maj 2013, ku humbën jetën 52 qytetarë./AA