Lidhje


Ish-ushtarakja amerikane, Guilbeau: Kongresi i SHBA-së, bashkëpunëtor në gj.enocidin e I.zraelit në Gaza

Ish-oficerja e inteligjencës dhe ushtarakja amerikane, Josephine Guilbeau në lidhje me mbështetjen e pakushtëzuar të SHBA-së për Izraelin tha se "Kongresi i SHBA-së është bashkëpunëtor në këtë gjenocid në Gaza", transmeton Anadolu. Guilbeau, një ish-oficere e inteligjencës dhe ushtarake, në një seancë të mbajtur në Komitetin e Çështjeve të Veteranëve të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, reagoi ndaj politikës së administratës amerikane dhe të Kongresit për Izraelin.

 

Derisa seanca vazhdonte, Guilbeau u ngrit në këmbë dhe filloi t'u drejtohej anëtarëve të Kongresit duke thënë: "Kongresi amerikan është bashkëpunëtor në këtë gjenocid në Gaza. Ju vazhdoni të dërgoni miliarda dollarë në Izrael. Si një veterane 17-vjeçare dhe oficere e inteligjencës, unë po shikoj shkatërrimin që ju po i bëni vlerave amerikane dhe sigurisë tonë kombëtare".

 

Guilbeau e cila tërhoqi vëmendjen me uniformën e saj ushtarake tha: "Izraeli po i djeg të gjallë fëmijët (në Gaza). Kam një vit që po shikoj se si Izraeli po i djeg fëmijët të gjallë. Ju nuk i vlerësoni veteranët dhe vlerat amerikane. Po e shkatërroni këtë vend. Më vjen turp për të gjithë ju. Uroj që Zoti t'ju japë guximin të bëni atë që është e drejtë".

 

Gjatë kësaj, Guilbeau u nxor jashtë nga rojet e sigurisë në sallë me thirrjen e kryesuesit të seancës ndërsa më parë ajo bëri një deklaratë për disa media jashtë sallës.

 

Ish-ushtarakja amerikane deklaroi se Kongresi Amerikan nuk u ka dhënë veteranëve ndihmën që u nevojitej ndërsa ka dërguar miliarda dollarë në vende si Izraeli.

 

"Është koha që si veteranë të ngremë zërin dhe të themi 'Tashmë Mjaft'. Ne duhet ta shpëtojmë vendin tonë nga ato që Kongresi po bën tani", theksoi më tej Guilbeau./AA

XS
SM
MD
LG