Lidhje


Ambasada i.zraelite në Irlandë heq flamurin përpara mbylljes

Ambasada izraelite në Dublin hoqi flamurin e saj kombëtar, duke sinjalizuar hapat e parë drejt mbylljes së saj, transmeton Anadolu. Zhvillimi pason një njoftim nga ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Saar, se ambasada do të mbyllet për shkak të asaj që ai e quajti "retorikë antisemitike" të Irlandës, një pretendim që Dublini e mohon. Saar kritikoi njohjen e një shteti palestinez nga Irlanda dhe akuzoi vendin për përpjekje për të ridefinuar "gjenocidin" në të drejtën ndërkombëtare, për të mbështetur pretendimet kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND).

 

Sipas mediave irlandeze, një zëdhënës i ambasadës ka konfirmuar heqjen e flamurit, duke thënë: "Flamuri u hoq pas udhëzimit të ministrit të jashtëm për mbylljen e ambasadës". Megjithatë, zëdhënësi sqaroi se ambasada ende nuk është mbyllur zyrtarisht.

 

Në përgjigje, kryeministri irlandez (Taoiseach) Simon Harris hodhi poshtë pretendimet për ndjenja antiizraelite, duke pohuar se politika e jashtme e Irlandës mbetet e përkushtuar ndaj të drejtave të njeriut, ligjit ndërkombëtar dhe paqes.

 

Duke folur nga Brukseli gjatë një takimi të BE-së të fokusuar në zhvillimet në Ukrainë, Harris tha: "Populli i Irlandës, qeveria e Irlandës – kjo dhe e ardhshmja – nuk janë antiizraelite. Por, ne jemi pro të drejtave të njeriut, ne jemi pro së drejtës ndërkombëtare, ne jemi pro paqes dhe kurrë nuk do të frikësohemi apo të heshtemi që të largohemi nga kjo".

 

Harris shprehu shpresën se Projektligji për Territoret e Pushtuara, i cili synon të kufizojë ose penalizojë tregtinë që përfshin mallra ose shërbime me origjinë nga vendbanimet kolone izraelite në Palestinë, do të miratohet në vitin 2025.

 

Ai vuri në dukje se formimi i qeverisë së re irlandeze, që pritet në janar, do të ndikonte në afatin kohor për avancimin e legjislacionit./AA

XS
SM
MD
LG