Papa Françesku dënon “m.izorinë” i.zraelite në Gaza
Papa Françesku ka dënuar sulmet e fundit ajrore izraelite në Gaza, duke shprehur dhimbjen për bombardimin e fëmijëve në Rripin e Gazës një ditë më parë, transmeton Anadolu. “Dje, fëmijët u bombarduan. Kjo nuk është luftë. Kjo është mizori. Dua ta them këtë sepse më prek zemrën”, u tha Papa Françesku anëtarëve të Kurisë Romake, administratës qendrore të Vatikanit. Ai gjithashtu u ankua se sulmet ajrore izraelite kanë penguar hyrjen në Gaza të kardinalit Puerbattista Pizzaballa, përfaqësuesin më të lartë të Kishës Katolike në Tokën e Shenjtë.
Që nga 7 tetori i vitit 2023, Izraeli ka vrarë mbi 45 mijë palestinezë në Gaza, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe ka kthyer territorin palestinez në gërmadha.
Më 21 nëntor, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi urdhër-arreste për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Për fushatën ushtarake në enklavën palestineze, Izraeli gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Sipas fragmenteve nga një libër i ri i ardhshëm, Papa Françesku gjithashtu ka kërkuar një hetim për të përcaktuar nëse sulmet e Izraelit në Gaza përbëjnë gjenocid./AA