Lidhje


SHBA, imami i një xhamie të komunitetit afro-amerikan humb jetën në një sulm të armatosur

Hassan Sharif, imami i xhamisë që i përket komunitetit afro-amerikan në New Jersey të SHBA-së, ka humbur jetën si pasojë e një sulmi të armatosur gjatë orarit të namazit të sabahut (mëngjesit).

 

Zv.prokurori i rajonit Essex, Theodore N. Stephens II në një konferencë për media ku morën pjesë shumë zyrtarë, informoi se Sharif, imami i xhamisë "Masjid Muhammad" u vra nga një agresor i armatosur i paidentifikuar në parkingun e xhamisë në të cilën ai mbërriti për të falur namazin e sabahut.

 

Stephens II ndër të tjera ndau informacionin se agresori ka lëshuar më shumë se një plumb ndaj Sharif në afërsi të xhamisë në qytetin Newark, besimtarët e të cilës përbëhen kryesisht nga muslimanë afro-amerikanë. Po ashtu Stephens II shtoi se imami i cili iu nënshtrua operacionit pas dërgimit në spitalin e Universitetit Rutgers që ndodhet menjëherë përballë xhamisë, nuk mundi të shpëtohej pavarësisht të gjitha përpjekjeve.

 

Autoritetet kanë vënë në dukje se nuk e dinë ende arsyen e ngjarjes, por duke pasur parasysh provat e mbledhura, vrasja "nuk tregon një paragjykim anti-musliman apo krim terrorizmi brenda vendit".

 

- Shpërblim 25 mijë dollarë për këdo që jep informacion

 

Kryeprokurori i rajonit, Matt Platkin duke folur në një deklaratë për shtyp tha se "Edhe pse do t'i nxjerrim para drejtësisë këto autor, ne nuk mund të bëjmë asgjë për rikthimin e imamit Sharif për të dashurit e tij dhe komunitetin e tij. Kjo plagë tragjike nuk do të shërohet kurrë plotësisht".

 

Platkin bëri të ditur se autoritetet do ta nxjerrin para drejtësisë të dyshuarin i cili shkaktoi vdekjen duke qëlluar disa herë me armën e tij një imam amerikan i cili ndodhej brenda automjetit të tij.

 

Lajmi për këtë vrasje ka rritur frikën dhe shqetësimin e komunitetit musliman, theksoi Platkin i cili njoftoi se ofrohet shpërblim 25 mijë dollarë për këdo që jep informacion.

 

Drejtori i sigurisë publike në Newark, Fritz Frage bëri të ditur se Sharif ushtronte detyrën e imamit prej 5 vitesh në të njëjtën xhami dhe se ai kishte dhënë mbështetje të madhe ndaj aktiviteteve të aleancës ndër fetare në Newark.

 

Edhe guvernatori i New Jersey, Phil Murphy në deklaratën e tij lidhur me sulmin tha: "Në një kohë kur komuniteti musliman është i shqetësuar për një rritje të incidenteve dhe krimeve të paragjykimit, dua të siguroj se ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për të mbajtur të sigurt komunitetin musliman dhe njerëzit e të gjitha besimeve, kryesisht të gjithë banorët pranë objekteve të kultit".

 

Burimi: AA

XS
SM
MD
LG