Ramës nuk po i ndahet hija e McGonigal
Edi Rama ngre supet dhe bën të paditurin sa herë atë e pyesin për çështjen McGonigal, por në fakt, në mënyra të ndryshme hija e agjentit të dënuar të FBI-së po e ndjek atë nga pas. Kështu ka ndodhur edhe me raportin e kongresmenëve amerikanë të cilët hetuan për shpenzimet që politikanët e huaj kishin bërë në hotelin e ish presidentit Trump në Uashington, duke i cilësuar ato si përpjekje për të ndikuar mbi vendimarrjen përmes interesave financiare që kishte presidenti.
Nga ky raport, agjensia BIRN zbuloi se rreth 6 mijë euro për fjetje dhe sajdisje i kishte shpenzuar edhe kryeministri shqiptar dhe shpura e tij.
Këtu tek ne shtypi u mor më tepër me faturat dhe me shtratin e kushtueshëm të Ramës. Madje mendja mund të shkonte tek karakteri i kryeministrit, që nga njëra anë e kishte konsideruar Trumpin në CNN, si “turp të njerëzimit” dhe nga ana tjetër i vardisej atij si klient hoteli.
Por, përtej shpenzimeve për krevatin dhe karakterit të Ramës, tek raporti me 156 faqe i kongresmenëve amerikanë, i inciciuar nga demokratët, Lapsi.al ka parë edhe një fakt tjetër: Atë se kryeministrit tonë nuk po i shqitet nga vetja imazhi i Charles McGonigal që ai vetë e etiketonte dikur si mikun e tij. Ndonëse qëllimi i hetimit të kongresmenëve ka në fokus paratë që kanë shpenzuar politikanët e huaj në favor të presidentit Trump, kur vjen puna të përmendet Rama, aty nuk harrohet të thuhet se ai ka ngrënë një dërkë në këtë hotel me ish agjentin: “Sipas prokurorëve federalë në SHBA, Edi Rama ka darkuar me Charles McGonigal dhe Agron Nezën me 4 mars 2018 në hotelin Trump në Uashington”.
Aty përmendet gjithashtu edhe protagonisti tjetër i skandalit McGonigal, Dorian Duçka. Dhe këto të dhëna nuk janë pa rëndësi. Ngjarjet zhvillohen ndërkohë që ish agjenti i FBI-së i kishte marrë 225 mijë USD nga burime shqiptare. Agron Neza për të cilin Rama thotë se nuk e njihte dhe e prezanton si lidhje të McGonigal, ishte pjesë e delegacionit të tij, që flinte në të njëjtin hotel me kryeministrin. Kjo bën edhe më të qartë dyshimin se kush ka qenë burimi i pagesës së parave korruptive.
Tjetër gjë: kur është pyetur për Dorian Duçkën Rama ka pretenduar se ai ka qenë këshilltar i tij pa pagesë. Po vetëm një natë që i është paguar atij në hotel është sa pagesa e disa muajve si rogëtar i shtetit.
Sa herë hapet kjo çështje, bëhet gjithnjë e më e qartë ekzistenca e një grupi të strukturuar, që ka dashur të korruptojë një agjent të FBI, për ta përdorur atë kundër opozitës vendase(Mos e humb linkun me kronologjine e ngjarjes nga Lapsi.al).
Por edhe për këtë vështirë se dikush ka më dyshime në Shqipëri. Pjesa kryesore e lajmit të ri është se përtej oqeanit emri i kryeministrit tonë është tashmë i pazgjidhur nga ai i agjentit që tradhëtoi FBI-në.
Jo më kot, përpos faturave që Rama ka shpenzuar në hotelin e Trump, në një raport të kongresmenëve amerikanë përshkruhet nga fillimi marëdhënia me McGonigalin, fakti se ky i fundit ua mbajti të fshehtë eprorëve marëdhënien me kryeministrin shqipttar. Në këtë dokument, qëllimi i të cilit është krejt i ndryshëm gjejnë vend personazhe krejt periferikë si Neza apo Duçka, madje nuk harrohet të theksohet edhe një paragraf që duket sikur nuk ka lidhje fare me konfliktin e interesit të ish presidentit Trump. “Gjithashtu, pretendohet se zoti McGonigal kishte kaluar informacione potencialisht dëmtuese rreth zotit Muzin—lobisti amerikan për kundërshtarin kryesor të zotit Rama—nga zyra e zotit Rama tek zyrtarë të tjerët në SHBA,” thekson raporti.
Ky vend që zë McGonigali në një raport, qëllimi i të cilit është krejt tjetër, e që për më tepër është hartuar nga ligjvënësit demokratë, tregon se kryeministrit shqiptar ende nuk i është harruar, përtej Atlantikut, fakti se emri i tij lidhet me agjentin më më lartë që FBI-së i kanë korruptuar ndonjëherë në historinë e saj.