Lidhje


Brazili i përgjigjet kërcënimeve të Trumpit: Nëse rrit tarifat për produktet tona, do t’i kundërpërgjigjemi

Brazili iu kundërpërgjigj kërcënimit të presidentit amerikan Donald Trump për të rritur tarifat, duke thënë se nëse ai ndërmerr një ha të tillë, do të ketë kundërpërgjigje. “Është shumë e thjeshtë: nëse ai takson produktet braziliane, Brazili do të reagojë në taksimin e produkteve që eksportohen nga Shtetet e Bashkuara”, tha presidenti Luiz Inacio Lula da Silva në një konferencë shtypi të enjten në kryeqytetin Brazilia. Lula theksoi gjithashtu se Brazili kërkon një marrëdhënie respekti të ndërsjellë me SHBA-në dhe shprehu dëshirën e tij për të përmirësuar marrëdhëniet duke forcuar lidhjet tregtare me partnerin e dytë më të madh tregtar të Brazilit pas Kinës.

 

“Unë dua të respektoj Shtetet e Bashkuara dhe që Trump të respektojë Brazilin. Kjo është e gjitha”, tha ai.

 

Në lidhje me zotimin e Trumpit për ta bërë Grenlandën pjesë të SHBA-së dhe për të rimarrë Kanalin e Panamasë, Lula tha se presidenti amerikan “thjesht duhet të respektojë sovranitetin e vendeve të tjera”.

 

Lula vuri në pah edhe kërcënimet globale ndaj demokracisë.

 

“Për mua, demokracia është gjëja më e rëndësishme te njerëzimi tani... Ose do ta ruajmë demokracinë që të funksionojë ose do të kemi shtete më autoritare se Hitleri dhe fashizmi”.

 

Muaj përpara se Brazili që mirëpresë konferencën e OKB-së për klimën COP30 në nëntor, Lula e kritikoi vendimin e Trumpit për t’u tërhequr nga Marrëveshja e Parisit për Klimën si “një hap prapa për qytetërimin njerëzor”.

 

Brazili është një nga vendet që Trump e ka kërcënuar me rritjen e tarifave që kur u kthye në Shtëpinë e Bardhë, së bashku me Kinën, Meksikën, Kanadanë dhe të tjera./AA

XS
SM
MD
LG